Boçi: Reforma e 2015 dështoi, opozita propozon rritjen e numrit të bashkive për më shumë përfaqësim
Debati për reformën e re territoriale është ndezur sërish, teksa palët politike kanë nisur të zbulojnë propozimet konkrete. Në një intervistë në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca, nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçano Boçi, zbuloi propozimin e opozitës, i cili qëndron në kundërshtim të plotë me variantet e diskutuara nga maxhoranca socialiste.
Sipas Boçit, propozimi kryesor i Partisë Demokratike është rritja e numrit të bashkive në vend. Kjo lëvizje, siç shpjegoi ai, nuk është thjesht një qëndrim kundërshtues ndaj qeverisë, por një "kërkesë e domosdoshme për të realizuar funksionalitetin e pushtetit lokal". Qëllimi është afrimi i shërbimeve dhe përfaqësimit pranë qytetarëve, duke korrigjuar atë që opozita e cilëson si një dështim total të reformës së vitit 2015. Duke folur për reformën aktuale që e reduktoi numrin e njësive vendore në 61, Boçi deklaroi se ajo "ka dështuar" dhe ka prodhuar një sërë pasojash negative. Ai listoi probleme si centralizimi i pushtetit, mungesa e shërbimeve, shpopullimi i zonave, veçanërisht atyre rurale, dhe diskriminimi territorial e ekonomik mes bashkive.
Luçano Boçi: Kemi realizuar dëgjesën e parë, sipas kërkesës sonë si opozitë, me ministrin e pushtetit vendor, për të pasur një panoramë të qartë pse qeveria ka ndërmarrë një iniciativë të tillë, për të zhvilluar një reformë tjetër territoriale, pas asaj të vitit 2015, dhe cili ose cila është ajo që ata duan të arrijnë, ose cili është projeksioni i tyre. Mbi ç'bazë e kanë kërkuar dhe synimi i dëgjesës ishte që të dilte në pah e vërteta që reforma e 2015-ës, siç është në dijeni të vetë publiku, ka dështuar dhe ka nevojë për një riformatim në tërësinë e mënyrës si funksionon pushteti vendor, në funksionalitetin e tij, në kompetenca, në autonominë financiare, decentralizimin dhe të tjerë, por bashkëshoqëruar dhe me një konkludim të ri të hartës territoriale, për shkak të këtij dështimi, por sidomos për shkak të kërkesës së lartë që ka publiku për të pasur afër shërbimin, pushtetin e tij vendor, për t'u përfaqësuar dhe për t'u mos u diskriminuar, por duke pasur akses të plotë në atë çka duhet t'i ofrojë një pushtet lokal real, autonom dhe demokratik. Dhe, në fakt, hartëzimi duhet të jetë një konkludim pas shumë analizave, dëgjesave, ekspertët ndërkohë kanë punuar për vlerësimin e reformës së 2015-ës, por në këtë atmosferë Partia Socialiste, gjithmonë, siç ka bërë gjithmonë, ka nxituar të nxjerrë variantet e saj.
Në mbledhjen e grupit parlamentar, dihet tashmë që kanë dalë në pah katër variante, ku tre kërkojnë zvogëlimin e numrit të bashkive dhe kombinimin me nivelin e dytë të qeverisjes, me rajonet ose me qarqet, dhe një variant i katërt kërkon të ruajë numrin aktual, por duke forcuar rolin e rajoneve apo të qarqeve, sipas dhe diskutimeve që do bëhen përgjatë funksionimit të komisionit të reformës zgjedhore. Patjetër që Partia Demokratike ka dhe ajo opsionin e saj, opsion që nuk është konkluzion thjesht i karakterit politik, apo si një tezë e përpunuar kohë më parë, por është rezultat i punës së ekspertëve tanë, në vlerësimin që i kanë bërë reformës 2015-ës, në vlerësimin që i bëjnë realitetit konkret dhe vlerësimit të kërkesës që ka publiku. Dhe variantet tona, synojnë rritjen e numrit të bashkive. Jo thjesht si mendim kundërvënës, por si kërkesë e domosdoshme për të realizuar funksionalitetin e një pushteti lokal. Sepse ajo që ka ndodhur sot është mungesë përfaqësimi, mungesë shërbimesh, shpopullimi i Shqipërisë, diskriminim territorial dhe ekonomik midis bashkive, centralizim, marrje e kompetencash, mungesë e autonomisë vendore, shumë bashki nuk vendosin për fatet e tyre, është qeveria qendrore që vendos për fatet e tyre. Dhe kemi një largim shumë të madh të pushtetit lokal nga qytetari dhe ku mungon qartazi dhe llogaridhënia dhe rezultatet dihet, janë të evidentuara, një pjesë e madhe, shumë e madhe e popullsisë së zonave sidomos rurale është larguar për shkak të mungesës së shërbimeve dhe për shkak të menaxhimit të keq të pasojave të reformës 2015-ës që rezultoi në 61 bashki. Sot një pjesë e madhe e kryetarëve të bashkive janë të hetuar për korrupsion. Gati 40 ish-kryetarë apo kryetarë.