Portet turistike, Himçi: Duke i kamufluar si investitorë strategjikë, po i jepni pa garë!
Një nismë ligjore që i hap rrugë dhënies së porteve turistike pa garë ka ndezur debate të ashpra në Kuvendin e Shqipërisë.
Gjatë seancës plenare, deputeti demokrat, Bledi Himçi ngriti një sërë pikëpyetjesh kritike, duke shprehur shqetësime të thella për mungesën e transparencës dhe rrezikun e favorizimit të investitorëve të caktuar nën statusin e “investitorit strategjik”.
Në qendër të diskutimit ishte propozimi që projektet për ndërtimin dhe menaxhimin e porteve turistike t'u jepen drejtpërdrejt kompanive që përfitojnë statusin e investitorit strategjik, duke anashkaluar kështu procedurat konkurruese të tenderimit.
Himçi vuri në dyshim logjikën e këtij propozimi, duke pyetur se përse asete strategjike publike, siç është vija bregdetare, propozohet të jepen “praktikisht pa garë”. Ai kërkoi të dijë se sa projekte portesh janë bllokuar deri më tani për shkak të mbivendosjeve ligjore dhe kërkoi një analizë konkrete që të vërtetonte se procedurat konkurruese janë pengesë për investimet dhe jo një garanci për transparencën.
Ndër shqetësimet kryesore ishin kriteret specifike që e kthejnë një port turistik në një investim strategjik, kush e merr këtë vendim, dhe cilat janë garancitë që vendimmarrja e Komitetit të Investimeve Strategjike nuk do të kthehet në një proces të mbyllur dhe jotransparent. “Si do të garantohet mbrojtja e interesit publik dhe e hapësirave publike?”, ishte një nga pyetjet kyçe të ngritura.
Sa projekte konkrete portesh turistike janë bllokuar deri më sot për shkak të mbivendosjes mes ligjit për porte turistike dhe ligjit për investimet strategjike. A ekziston një analizë konkrete e qeverisë apo e deputetit propozues që provon procedurat konkurruese nëse janë pengesë për investimet dhe jo garanci për transparencën? Një pyetje tjetër që do të kisha zonja ministre është, duke qenë se portet turistike janë asete strategjike publike dhe që lidhen me vijën bregdetare të vendit, pse qeveria propozon që ato të jepen praktikisht pa garë përmes statusit të investitorit strategjik? Cilat janë kriteret konkrete që bëjnë një port turistik pjesë të një investimi strategjik dhe kush e merr këtë vendim?
Çfarë garancish ekzistojnë që vendimmarrja e Komitetit të Investimeve strategjike nuk do të kthehet në një proces të mbyllur dhe pa transparencë? Si do të garantohet mbrojtja e interesit publik bregdetare dhe hapësirave publike? A ka bërë qeveria një analizë krahasuese me vendet e rajonit për mënyrën se si jepen portet turistike? Si do të sigurohet që shteti shqiptar të marrë përfitimin maksimal ekonomik nga këto projekte në mungesë të konkurrencës? Si mund të garantohet se kushtet ekonomike të kontratave nuk do të jenë më pak të favorshme për shtetin nëse nuk ka garë mes investitorëve? Në relacion thuhet se projektligji nuk sjell efekte financiare për buxhetin e shtetit.
Si është e mundur kur bëhet fjalë për përdorimin e aseteve publike? Pse ky projektligj nuk është parashikuar në planin analitik të akteve për vitin 2021? Nëse procedurat konkurruese janë pengesë për investimet, pse shumica e vendeve të Bashkimit Europian përdorin pikërisht procedurat konkurruese për zhvillimin e porteve turistike? Cili është mekanizmi i kontrollit parlamentar mbi vendimet që do të marrë Komiteti i Investimeve strategjike për projekte të tilla? Ju faleminderit.