Nuk do të ketë më 'proshutë vegane' ose 'biftek vegan' në BE

Komiteti për Bujqësi i Parlamentit Evropian miratoi ndalimin e termave si "proshutë vegane", raporton Politiko.

Komiteti i Bujqësisë i Parlamentit Evropian (AGRI) votoi për të mbështetur marrëveshjen e arritur nga bashkëligjvënësit mbi ndryshimet e synuara në rregullat e BE-së mbi organizimin e përbashkët të tregut për produktet bujqësore, shkruan Politiko.

Ndryshimet e rregullave lidhen kryesisht me kontratat, me qëllim forcimin e pozicionit të fermerëve në zinxhirin e furnizimit. Megjithatë, kompromisi i arritur në trialog përfshinte gjithashtu një ndalim të përdorimit të disa termave që lidhen me mishin për të reklamuar mishin me bazë bimore ose të rritur në laborator, gjë që në masë të madhe i la në hije aspektet teknike të marrëveshjes.

Termat më të diskutueshëm, të tillë si "hamburger" dhe "salçiçe", nuk u përfshinë midis termave të ndaluar për produktet me bazë bimore në marrëveshjen përfundimtare, por përdorimi i emrave më specifikë si "proshutë" dhe "biftek" do të kufizohej sipas rregullave të reja.

39 anëtarë votuan pro, 4 ishin kundër dhe 1 abstenoi. Teksti tani do të votohet në seancën plenare të Parlamentit.

Komiteti i Posaçëm për Bujqësinë, një organ që bashkon ekspertë nga shtetet anëtare, e ka miratuar tashmë marrëveshjen. Këshilli i BE-së pritet ta miratojë zyrtarisht marrëveshjen në verë.