Bordi i Ramës cakton çmimet e reja të naftës e benzinës, ja sa do të shiten nga sot

Në mbledhjen e sotme (9 prilli 2026), Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja tavan për karburantet, të cilat vijojnë të konsiderohen të larta për konsumatorët.

Sipas vendimit:

• Nafta do të tregtohet deri në 210 lekë/litër në pakicë dhe 198 lekë/litër në shumicë.

• Benzina do të shitet deri në 173 lekë/litër në pakicë dhe 161 lekë/litër në shumicë.

Këto çmime hynë në fuqi menjëherë dhe do të mbeten deri në një vendim të ri, ndërkohë që operatorët paralajmërohen për masa të ashpra në rast shkeljesh, deri në pezullim aktiviteti.

Ndërkohë, pavarësisht angazhimeve të deklaruara nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe institucionet e tjera për mbrojtjen e konsumatorëve, niveli i çmimeve vijon të mbetet i rëndë për qytetarët dhe bizneset.

Sqarohet se, duke qenë se çmimet janë nën kufijtë e përcaktuar nga akti normativ për akcizat, taksa e akcizës do të vijojë të aplikohet në nivel të plotë (100%), duke mos sjellë lehtësim fiskal për konsumatorët.

Njoftimi:

Bordi i Transparencës në datë 9 Prill 2026, në mbledhjen e radhës vendosi: 

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 210 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 198 lekë/litër. 

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN  të  jetë jo më shumë se 173 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 161lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 9 ora  14.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministirinë e Infrastrukturës dhe Energjisë  janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarw dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë per llogaritjen e cmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.