Barcelona, e tërbuar me arbitrat: nga Interi tek Atletico, rastet e ankimimit në UEFA

Barcelona ka shpërthyer nga zemërimi pas vendimeve të arbitrit në humbjen e fundit në ‘Camp Nou’ ndaj Atletico Madridit. Më shumë se për ndëshkimin me karton të kuq të Cubarsi-t, klubi katalanas nuk pranoi mungesën e kontrollit të VAR-it për arbitrin Kovacs pas prekjeve të dorës nga Pubill në një gabim të rivënies së topit në lojë nga Musso. Barcelona pretendoni një penallti dhe një karton të dytë për mbrojtësin e Atletico-s, që do të çonte në përjashtimin e tij dhe rikthimin e barazisë numerike. Për këtë arsye, klubi po shqyrton mundësinë e një ankimi formal pranë UEFA-s për gjykimin e arbitrit rumun, i asistuar nga gjermani Dingert në VAR.

Pakënaqësia katalanase ka nisur prej kohësh. Gazeta spanjolle As nënvizon se që nga rikthimi i Joan Laporta-s në presidencë dhe sfidat e hapura ndaj Ceferin dhe sistemit të UEFA-s, episodet arbitrare kundër Barcelonës janë shtuar ndjeshëm. Dosja e klubit përfshin edhe ndëshkimin e Araujo-s nga i njëjti arbitër në çerekfinalet e 2024 ndaj PSG-së, si dhe episodet e ndeshjeve me Interin. Për shembull, në sezonin 2022/23, prekja me dorë e Dumfries ndaloi një goditje të Ansu Fati-t në fitoren 1-0 të Interit në ‘San Siro’, ndërsa në të njëjtën ndeshje u anulua një gol i Pedrit për një prekje tjetër dore nga Fati, arbitruar nga slloveni Vincic.

Gazeta As thekson gjithashtu zemërimin e trajnerëve: nga Xavi te Flick, i përjashtuar në Milano nga arbitri Marciniak gjatë një ndeshjeje me vendime të diskutueshme për spanjollët. Në ndeshjen 4-3 me Interin, rastet kryesore që nxitën ankimin ishin penalltia për ndërhyrjen e Cubarsi ndaj Lautaros, moskontrollimi i penalltisë së mundshme të Mkhitaryan ndaj Yamalit në VAR, shtytjet e Acerbit ndaj Pedrit dhe kontakti i diskutueshëm midis Dumfries dhe Gerard Martin para golit të barazimit të Acerbit, që çoi takimin në shtesë.

Barcelona duket se është e vendosur të bëjë që zëri i saj të dëgjohet dhe mund të shohim një ankim formal pranë UEFA-s për vendimet që, sipas klubit, kanë ndikuar në rezultatin final.