Legjenda e Ajax-it rikthehet në fushë në moshën 55-vjeçare, do të luajë me fëmijët e tij në Estoni
Një lajm i jashtëzakonshëm vjen nga Estonia. Jari Litmanen, ish-‘ylli’ finlandez i njohur për periudhën e tij tek Ajax-i, si dhe për aventurat me Barcelonën dhe Liverpoolin, ka vendosur të rikthehet në fushë në moshën 55-vjeçare, katërmbëdhjetë vjet pas tërheqjes së tij nga futbolli profesionist.
Litmanen do të bashkohet me ekipin e tretë të klubit JK Tallinna Kalev, skuadër e qytetit ku ai jeton prej kohësh dhe ku luajnë edhe dy fëmijët e tij, Caro dhe Bruno. Më parë, në tetor të vitit të kaluar, ish-legjenda finlandeze kishte bërë një paraqitje të shkurtër për të ndihmuar klubin gjatë një emergjence numrash, por tani JK Tallinna Kalev ka vendosur ta regjistrojë zyrtarisht për të gjithë sezonin. Litmanen shpjegon: “Papritmas kishin pak lojtarë dhe, duke u stërvitur tashmë me ta, trajneri më kërkoi t’u jap një dorë”.
I konsideruar si lojtari më i madh finlandez i të gjitha kohërave, Litmanen ka lënë gjurmë të paharrueshme tek Ajax-i, ku zhvilloi 255 ndeshje dhe shënoi 133 gola, duke qenë protagonist i Champions League 1994-1995, të fituar në finale kundër Milanit. Me kombëtaren e Finlandës, ai ka regjistruar 137 ndeshje dhe 32 gola, duke u bërë një pikë referimi për shumë breza futbollistësh.
Ky rikthim befasues në futbollin aktiv shënon një aventurë të re për legjendën, e cila do të luajë krah fëmijëve të tij dhe do të sjellë një histori të rrallë në botën e sportit.
🇫🇮🇪🇪 || 55 YEAR OLD, Finland legend Jari Litmanen has been registered by Tallinna Kalev III ahead of the new season
— 🇪🇪 Estonian Football Podcast 🇪🇪 (@EstonianFBP) April 2, 2026
Life in the old dog yet 😉🇫🇮 pic.twitter.com/WOSy0xMrfo