Kontrabandimi i orëve luksoze, Carvajal, David Silva dhe lojtarë të tjerë të përfshirë
Një hetim gjyqësor në Andorrë ka vënë në qendër të vëmendjes një rrjet të dyshuar tregtimi të paligjshëm të orëve luksoze midis Principatës dhe Spanjës, ku përfshihen disa futbollistë të njohur si klientë të mundshëm. Hetimi, nën drejtimin e gjyqtarit Joan Carles Moynat me mbështetjen e Guardia Civil, ka zbuluar se kompania Best In Asociados ka futur në treg orë të veçanta duke shmangur detyrimet fiskale. Në qendër të hetimit është biznesmeni Diego G.C., i cili ndodhet në paraburgim që nga tetori 2025 me akuza për kontrabandë dhe pastrim parash, veprime që në Andorrë mund të sjellin dënime deri në tetë vjet burg, raporton La Voz de Asturias.
Operacionet kryheshin kryesisht në Madrid, ku shumë profesionistë të LaLiga-s kishin akses në orë luksoze me çmime më të ulëta se ato të tregut. Midis emrave të përfshirë për të dhënë dëshmi janë Dani Carvajal, Giovani Lo Celso, Juan Bernat, César Azpilicueta, Thomas Partey, Santi Cazorla dhe ish-futbollisti David Silva.
Autoritetet duan të sqarojnë mënyrën e blerjes dhe dorëzimit të këtyre orëve, kryesisht marka prestigjioze si Rolex dhe Patek Philippe, për të përcaktuar nëse blerësit ishin të vetëdijshëm për origjinën e dyshimtë të transaksioneve apo thjesht klientë të një sistemi evazioni fiskal të organizuar nga kompania andorrane.
Sipas të dhënave financiare, Thomas Partey kryeson me shpenzime prej 415,000 eurosh për tri Patek Philippe, ndjekur nga Juan Bernat me 367,000 euro dhe David Silva me 295,000 euro. Edhe Dani Carvajal rezulton në regjistër për blerjen e një Rolex Daytona rreth 65,000 euro në vitin 2021. Hetimi, që nisi në shtator 2025 pas një sekuestrimi në doganë, ka konstatuar se janë futur në mënyrë të paligjshme 38 orë me vlerë totale prej 1,35 milion eurosh, ndërsa fitimet e padeklaruara janë përdorur edhe për blerjen e automjeteve luksoze.