Blushi: Katër muaj pa përgjigje për kërkesat e interpelancës, mazhoranca shkel ligjet
Deputeti i opozitës Tedi Blushi, gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare, tha se mazhoranca po tregon mungesë totale respekti për kushtetutën dhe ligjet, duke bllokuar kërkesat për interpelancë që kanë mbetur për katër muaj në sirtarët e Kuvendit.
Ai kritikoi mungesën e përgjigjes nga ministrat për çështje kritike, duke përmendur fondet e IPARD-it dhe trajtimin e tragjedisë së një 35-vjeçari në QSUT, dhe e konsideroi këtë sjellje si shenjë e mungesës së dinjitetit, humanizmit dhe përgjegjësisë institucionale.
Blushi tha se fermerët për tre vjet radhazi nuk kanë përfituar fondet e IPARD-it, pavarësisht se mbajnë barrën e taksave dhe se qeveria ka përgjegjësi të sqarojë se kush do të japë llogari për këtë situatë.
Ai kërkoi përgjigje konkrete nga kryetari i Kuvendit dhe ministrat, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të kërkesave të opozitës në mënyrë serioze dhe brenda afateve ligjore.
Deklarata e plotë:
"Tani ka ardhur ministri këtu, a ka një argument kushtetues dhe ligjor pse kërkesa për interpelancë ka katër muaj dhe e depozituar, çfarë do më thoni sot?
Më thatë në konferencën e kryetarëve administrata, ministri është me pushime. Me pushime dhe me taksat e atyre fermerëve që protestojnë sot.
A do të flasim për fondet e IPARD-it? Apo do merremi me qumështin pluhur të Serbisë? Së dyti, në muajin shkurt një kërkesë për interpelancë me ministren e Shëndetësisë. Ka humbur jetën një 35 vjeçar në zemër të Tiranës, në QSUT.
Shkoi të kurohej për diabet, doli pa jetë nga spitali. Familja ka një vit kërkon kartelën e vdekjes dhe ministrja nuk denjon të vijë në këtë sallë.
Tani a keni, unë e kuptoj që s'keni asnjë respekt as për kushtetutë as për ligje.
Po të paktën për dinjitetin e këtyre njerëzve, a keni një farë respekti, a keni një farë dhëmbshurie, a keni një farë humanizmi? Tani nuk është, nuk bën sens kjo sot, që ka ardhur ministri këtu dhe të mos i përgjigjet dy kërkesave për interpelancë që ka katër muaj në sirtarët e kuvendit për një çështje kaq të rëndësishme.
Ka tre vite fondet e IPARD-it janë bllokuar. Kush do e japë cerin, kush do japë llogari këtu? Përse fermerët për të tretin vit radhazi nuk përfitojnë fondet e IPARD-it? Se mirë që i financoni dhe i u rëndoni gjithmonë barrën mbi supe. Po s'ka logjikë kjo tani. Pres një përgjigje kryetar, të paktën nga ju".