Arne Slot beson te magjia e Anfield-it për përmbysjen ndaj Paris Saint-Germain
Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, mbetet optimist pavarësisht humbjes 2-0 në ndeshjen e parë ndaj Paris Saint-Germain në çerekfinalet e UEFA Champions League. Tekniku holandez beson se ndeshja e kthimit në “Anfield” mund të bëjë diferencën për një përmbysje të madhe.
Duke folur për mundësitë e kualifikimit, Slot theksoi rëndësinë e historisë dhe atmosferës së stadiumit legjendar: “Në momente të tilla duhet t’i referohemi të kaluarës së këtij klubi. Anfield ka treguar shumë herë se mund të ndikojë drejtpërdrejt në performancën e skuadrës dhe të japë një shtysë ekstra”.
Ai pranoi se kundërshtari ishte superior në përballjen e parë: “PSG ishte më mirë dhe mund të kishte shënuar më shumë se dy gola. Megjithatë, më pëlqeu reagimi i lojtarëve të mi, që nuk u dorëzuan dhe luftuan deri në fund”.
Slot analizoi edhe aspektin mbrojtës të skuadrës së tij: “Në shumë raste ishim të detyruar të mbroheshim me shumë lojtarë, sepse kundërshtarë të këtij niveli, si edhe Manchester City, të ndëshkojnë menjëherë nëse u lë hapësira”.
Në përfundim, trajneri i Liverpool vuri theksin te ndeshja e kthimit: “Duhet të paraqitemi shumë më mirë. Do të kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve tanë për të krijuar një atmosferë që na çon në një nivel tjetër krahasuar me atë që treguam në Paris”.
Liverpooli synon një përmbysje të madhe në shtëpi, duke besuar se energjia e Anfield-it mund të jetë çelësi për të kthyer rezultatin ndaj PSG.