Diego Simeone: Është vetëm fillimi, ndaj Barcelonës do të vuajmë në kthim

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, u shfaq i kënaqur pas fitores ndaj Barcelonës, por njëkohësisht theksoi se kualifikimi mbetet i hapur dhe kërkon kujdes maksimal në ndeshjen e kthimit.

“Luajtëm të organizuar në mbrojtje dhe nuk i lejuam të zhvillonin lojën e tyre. Nuk krijuam aq shumë sa do të donim, por shfrytëzuam momentet tona. Goli ishte i jashtëzakonshëm”, deklaroi Simeone, duke iu referuar realizimit të bukur të Julián Álvarez.

Sa u përket episodeve të diskutueshme, trajneri argjentinas preferoi të mos polemizojë: “Isha larg nga aksioni, si te rasti i Cubarsí ashtu edhe te situata tjetër. Nëse lojtari dhe arbitri e interpretuan si fillim aksioni, atëherë është thjesht logjikë loje. Pastaj mund të analizohen shumë gjëra”.

Simeone vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, duke treguar respekt për cilësitë e Barcelonës: “Nuk ka përfunduar asgjë. Po përballemi me një ekip shumë të fortë dhe duhet të jemi të përulur për ta pranuar këtë. Do të luajmë me entuziazëm dhe me mbështetjen e tifozëve tanë”.

Ai kujtoi gjithashtu se skuadra e tij ka përjetuar situata të vështira edhe më parë: “Preferoj të jem në avantazh, por e dimë mirë se çfarë mund të bëjë Barcelona. Presim një ndeshje të vështirë dhe shumë të komplikuar”.

Një moment historik për Atleticon ishte edhe fitorja e parë në ‘Camp Nou’: “Nuk kishim fituar kurrë këtu dhe është gjithmonë shumë e vështirë. Barcelona është ndër skuadrat më të mira në Evropë, bashkë me Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich. Me një punë të mirë kolektive arritëm t’i godisnim në momentet kyçe”.

Në fund, Simeone theksoi rëndësinë e ndeshjes së kthimit dhe mbështetjen e tifozëve: “Na pret një sfidë e fortë. Do të kemi nevojë për publikun tonë më shumë se kurrë. Duhet të jenë pranë nesh për një ndeshje që do të jetë shumë e vështirë”.