Paris Saint-Germain, Luis Enrique paralajmëron: Në Anfield do të vuajmë shumë

Pas fitores së rëndësishme 2-0 ndaj Liverpoolit në ndeshjen e parë çerekfinale të UEFA Champions League, trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, u shfaq i kënaqur, por njëkohësisht realist për sfidën e kthimit.

“E prisja një paraqitje të mirë nga skuadra dhe jam i lumtur për rezultatin. Jemi mësuar të përballemi me kundërshtarë që ndryshojnë mënyrën e lojës, madje edhe kur rreshtohen me pesë mbrojtës”, u shpreh tekniku spanjoll pas ndeshjes.

Megjithatë, Enrique paralajmëroi se asgjë nuk është e mbyllur: “Nëse dikush mendon se do të shkojmë në Liverpool dhe gjithçka do të jetë e lehtë, gabon. Atmosfera në Anfield është gjithmonë e jashtëzakonshme dhe besoj se do të vuajmë shumë për të arritur kualifikimin”.

Gjatë intervistës, trajneri i PSG-së komentoi edhe një mesazh të veçantë nga Walter Sabatinin, i cili kishte deklaruar me humor: “Sa herë që ti fiton, unë ndihem më mirë, mushkëritë e mia bëhen më elastike”.

Enrique iu përgjigj me respekt dhe emocion: “Është një lajm shumë i bukur. Kam shumë dashuri për Walter Sabatinin, është një person i veçantë. Gjatë kohës sime te Roma më ka mësuar shumë gjëra dhe e vlerësoj jashtëzakonisht shumë”.

PSG shkon kështu në ndeshjen e kthimit me një avantazh të rëndësishëm, por me vetëdijen se përballë një skuadre si Liverpooli, çdo gjë mbetet e hapur.