SYRI TV/ Pamje të rënda në Lanabregas: Gjenden qen të ngrirë e të futur në qese plastike, Osmani: Dyshohet se i ka hedhur bashkia...
Dhjetëra qen të ngordhur e të ngrirë, të futur në qese plastike identike, janë gjetur në 2 kosha mbetjesh, në 2 vende pranë njëra-tjetrës në zonën e Lanabregasit në Dajt. Rasti i pazakontë u konstatua nga Indrit Osmani, pjesëtar i Organizatës për shpëtimin e kafshëve, i cili ngre dyshime se pas ngjarjes së rëndë fshihet Bashkia e Tiranës. Qentë dyshohet se janë vrarë e më pas janë ngrirë në dhoma frigoriferike në spitalin bashkiak, e më pas janë hedhur në mënyrë të paligjshme në kosha të zonave periferike.
Syri TV
Një pamje e pazakontë është ajo që shohim në zonën e Dajtit, ku rreth 11 qen të ngrirë dhe të futur në qese plastike identike janë hedhur në koshat e plehrave. Për të fshehur gjurmët, ngarkesa me qen të ngrirë, secili me qese të izoluar, janë gjendur në koshat e mbetjeve në 2 zona të ndryshme, shumë pranë njëra-tjetrës.
Rasti u konstatua nga Indrit Osmani, pjesë e Rescew Animal Organization, i cili tregon për Syri TV sesi arriti të zbulojë atë që e cilëson një krim të mirëfilltë, por për të cilin kishte pasur edhe më herët denoncime, për një skenar të mirëorganizuar dhe dyshimet se pas saj mund të fshihet Bashkia.
Dyshimet duket se marrin më shumë formë edhe nga një tjetër detaj, pikërisht nga ajo e sterilizimit të organeve të qenve, që nuk mund të bëhen askund tjetër veçse në një klinikë.
Por përtej pamjeve të trishta dhe jonjerëzore, hedhja e qenve të ngordhur në kosha, pa i groposur ato, është në shkelje të ligjit.
Osmani thotë se do t’i shkojë deri në fund çështjes, megjithëse skeptik se në një vend si Shqipëria do të mund të bëhet drejtësi.
Në vendngjarje mbërriti edhe policia, oficerë të OPGJ dhe ekspertë veterinarë, të cilët bënë ekspertizën. Ata informuan për Syri TV se do të nisë hetimi i ngjarjes.
/Ky është artikull ekskluziv i Syri Tv dhe Syri.net, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Syri Tv ose Syri.net” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.