Karburantet/ Hoxhaj: Rreth 60% e çmimit shkon për buxhetin e shtetit

I ftuar në emisionin “Kush Paguan” në SYRI TV me moderim të Klaudia Karabolli, gazetari Julian Hoxhaj ngriti shqetësime për nivelin e lartë të taksimit të karburanteve në Shqipëri, duke theksuar se rritjet e taksave gjatë viteve të fundit kanë rënduar qytetarët dhe sektorët ekonomikë.

Sipas tij, struktura aktuale e taksave dhe mënyra e aplikimit të TVSH-së mbi to e bën barrën fiskale edhe më të rëndë, ndërsa uljet e fundit të akcizës nuk kanë sjellë ndikim real në çmimet për konsumatorët.

Julian Hoxhaj: Është një histori e gjatë kjo çështja e taksave tek karburantet. Sigurisht që ka nisur dekada po them të parë, por gjatë katër mandateve të qeverisë Rama, taksat janë rritur në mënyrë progresive tek karburantet. Sidomos akciza dhe taksa e qarkullimit, taksa e famshme e qarkullimit që sot është një nga, po themi, çelësat që mund të lironte disi këtë situatë ku ne ndodhemi. Taksa e qarkullimit është një taksë fikse që qeveria e merr nëpërmjet litrit të karburantit. Pra çdo qytetar shqiptar që përdor një automjet, por jo vetëm, edhe po themi, industria që blen karburant, naftë për ngrohjen e serave apo për përdorime të ndryshme në industri, paguan një taksë qarkullimi që është një taksë që qeveria e ka vendosur për të kompensuar, po themi, apo për të nxjerrë para në mënyrë që të mirëmbajë rrugët. Dhe në dijeninë time, mos gabohem, është rreth 300 milionë euro në vit totali i taksave që qeveria e mbledh nga ëh, karburantet.

Ndërkohë që shpenzimet për mirëmbajtjen e rrugëve janë shumë po shumë herë në qindra milionë euro më të ulëta për mirëmbajtjen e rrugëve. Pra ky është absurdi i parë, sepse ne paguajmë taksa për automjetin ku përfshihet dhe taksa e qarkullimit. Por po them, ne paguajmë sot ose dhe në vijim, por kemi disa vite që paguajmë tashmë në disa rrugë të Shqipërisë, paguajmë edhe tarifa për mirëmbajtjen e këtyre rrugëve që u shkojnë kompanive koncesionare. Do të paguajmë edhe për tunelin e Llogarasë. Pra një seri taksash që shteti në një mënyrë apo një tjetër, sepse edhe koncesionarëve kur këto dalin me fitim, ka pika kontraktuale që i detyrojnë kompanitë që të japin një pjesë të dividendit apo të fitimit për shtetin, pra që t'ia kthejnë shtetit. Pra, shteti sot merr nëpërmjet karburantit një seri taksash. Taksa e qarkullimit është rreth 320 ALL mos gabohem. Është akciza që shkon deri në 40 ALL, është TVSH-ja që është 20%. Por, ne kemi një veçori për TVSH-në, sepse shteti shqiptar është e vetmja qeveri, po them, të paktën në dijeninë time, në Evropë që TVSH-në e takson mbi taksat. Pra e merr TVSH-në duke taksuar edhe taksat që janë vendosur çmimit të karburantit. Pra nuk e merr po themi tek çmimi neto... Po, te çmimi fillestar i hyrjes së karburantit në Shqipëri, në doganë, pra në zhdoganim, por e merr mbi taksa. Që do të thotë, sa më shumë të rritet çmimi i karburantit, aq më shumë TVSH vjel qeveria. Dhe ulja e akcizës me 20%, pra ai 9.5 lekëshi i famshëm që ka ndodhur gjatë këtyre ditëve, nuk ka asnjë lloj ndikimi jo vetëm për buxhetin e shtetit, por edhe për qytetarët, sepse qytetarët vijojnë të paguajnë shumë më shumë para sot që ne flasim, që shkojnë drejtpërdrejt për buxhetin e shtetit. Pra rreth 60% e totalit të çmimit të karburantit i shkon shtetit.