‘Në vend të analizave do të përdorim horoskopin’- IRIQI bisedon me Evis Sala, ministre e Shëndetësisë
Iriqi:- Janë të shqetësuar shqiptarët nga që ke thënë se pas dt 20 nuk do të bëhen më analiza në shtet. Vërtet?
Sala:- Shqiptarët janë popull hokatar. Jo se unë nuk thashë kështu, por nga që ata asnjëherë nuk kanë bërë analiza falas, pa lekë d.m.th. Edhe në shtet do u japin diçka atyre që iu marrin mostrat.
Iriqi:- Dhe?
Sala:- Dhe që mos fusin dorën në xhep ne po i heqim fare analizat.
Iriqi:- Po si do ta vendosin mjekët diagnozën? Pa analiza?
Sala:- Sigurisht pa analiza. Do u vijë në ndihmë horoskopi. Shqiptarët mund të harrojnë dhe emrat e fëmijëve, ama shenjën e horoskopit kurrë.
Iriqi:- Po ata që kanë kancer?
Sala:- Ata më mirë të mos e dinë se ç’kanë. Ashtu do të jetojnë të qetë. Se dhe po e mësuan nga aparaturat tona copë-copë sërish nuk do të gjejnë ilaçe. Do i blejnë vetë dhe do shkatërrohen. Ose do të shesin shtëpinë, ose do të marrin kredi. Do të vdesin para se t’u vijë vdekja pra.
Iriqi:- Në Berat e Lezhë ke thënë që shëndetësia jonë është aq e zhvilluar, sa kur hyn në spitalet e qyteteve tona, ngjan sikur je në spitalet evropiane.
Sala:- E kemi traditë rrenën ne. Kur thashë ashtu më erdhi ndërmend biseda e një fshatari nga Kuçi me një francez që kishte ardhur si turist në ato male. Sa francezi u mahnit nga peizazhi, kuçioti ia priti, mo u mërzit o francez se dhe Parisin si Kuçi do e bëjmë.
Iriqi:- Pse për çdo mungesë në shëndetësi thua, do e zgjidhim patjetër në fund të vitit. Vërtet do e zgjidhësh?
Sala:- Vërtet, padyshim.
Iriqi:- E si?
Sala:- Me ikjen tonë. Nga që jam e sigurt që deri në fund të vitit ose shqiptarët, ose Evropa do të na fusë drurin. Do të shporremi d.m.th. E ja, kështu del që do e mbaj fjalën. Për gjithçka që premtova.