VIDEO/ Nuri: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Metën, një ‘lojë fjalësh’
Juristi Franc Nuri, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, komentoi vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për rrëzimin e arrestimit të tij nga SPAK.
Nuri theksoi se çështja e mënyrës së arrestimit nga policia është në proces gjyqësor dhe nuk do të hynte në detaje. Sipas tij, ka prova për një trajtim që mund të konsiderohet poshtërues dhe në kundërshtim me nenin 3 të Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut dhe nenin 25 të Kushtetutës, por Gjykata Kushtetuese ka përdorur një procedurë që e shmang këtë vlerësim.
Sa i përket masës së arrestit, Nuri tha se ajo është disproporcionale dhe nuk ka më funksion publik, pasi nuk mund të ndikojë te dëshmitarët apo të manipulojë provat. Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar argumentet e Metës lidhur me dyshimin e arsyeshëm bazuar në prova dhe parimin e proporcionalitetit.
‘Duke qenë se çështja e mënyrës së arrestimit nga policia të presidentit të PL-së Ilir Meta, është në gjykim thotë Gjykata Kushtetuese, unë s'po i hyj fare analizës. Pra, dukshëm është një rast flagrant.
Ku kemi prova të qarta për një trajtim poshtërues që bie ndesh edhe me nenin 3 të Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut, por edhe me nenin 25 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, por Gjykata Kushtetuese ju lëshoi dhe me anë të një, po themi, hileje procedurale, meqenëse hetimet vazhdojnë akoma ndaj policisë së shtetit, thotë, okay, unë nuk po i hyj fare kësaj pjese dhe nuk po prehem mbi një shkelje të të drejtave dhe lirive themelore.
Ndërkohë sa i takon argumentit të dytë, që ka të bëjë me thelbin e kërkesës së paraqitur nga Ilir Meta në Gjykatën Kushtetuese, që lidhur me masën e arrestit e cila është disproporcionale dhe siç e thatë dhe ju në hyrje, nuk ka më asnjë lloj funksioni publik, kështu që nuk mund të ndikojë më as te dëshmitarët, as mund të manipulojë më provat e të tjera e të tjera.
Pra të gjitha ato risqe që prokuroria SPAK-u pretendon, nuk janë, nuk mund të zbatohen më në rastin konkret. Gjykata Kushtetuese po ashtu me shumicë votash në këtë material të shkurtër që ka shpërndarë, sqaron se, u ndal në vlerësimin e, është ndalur gjykata në vlerësimin e argumenteve të kërkuesit, lidhur me standardin e dyshimit të arsyeshëm bazuar në prova, parimit të proporcionalitetit, thotë Gjykata Kushtetuese.
Dhe në përfundim, është shumë interesante fjalia që përdor Gjykata Kushtetuese. Në çështjen penale, thotë ndaj kërkuesit, duket, sipas Gjykatës Kushtetuese, se ka fakte dhe informacione që arrijnë të bindin një vëzhgues të jashtëm se kërkuesi mund të ketë kryer vepra penale për të cilat dyshohet. Ndaj nuk mund të arrihet në përfundimin se kufizimi i lirisë së tij është kryer në mungesë të dyshimit të arsyeshëm.
Pra këtu kemi të bëjmë me një, le të themi dhe një farë lojë fjalësh. Pra nga njëra anë fjalia fillon me idenë që një vëzhgues i jashtëm paska fakte dhe informacione që një vëzhgues i jashtëm, mund të dyshojë se mund të jenë kryer vepra penale, por nga ana tjetër thotë Gjykata Kushtetuese, mund të arrihet në përfundimin se kufizimi i lirisë nuk është kryer në mungesë të dyshimit të arsyeshëm.
Pra kemi dy herë brenda të njëjtës fjali dyshimin e arsyeshëm që përdoret, çka e relativizon tej mase argumentet e Gjykatës Kushtetuese. Si përfundim me shumicë votash e hedh poshtë pretendimin dhe me një fjalë i lë tashmë mundësinë Meta, avokatëve të tij që t'i drejtohen Strasburgut për të kërkuar drejtësi që me sa duket në Shqipëri nuk po arrijnë dot ta gjejnë në këtë sistem drejtësie’, u shpreh juristi Franc Nuri në SYRI TV.