Macron: Armëpushimi në Lindjen e Mesme duhet të përfshijë plotësisht Libanin

Presidenti francez Emmanuel Macron përshëndeti sot lajmin për një armëpushim dyjavor, duke bërë thirrje për respektimin e plotë të tij me qëllim fillimin e negociatave me Iranin për të gjitha çështjet e mbetura të sigurisë, ndërsa kërkoi që Libani të përfshihet plotësisht në armëpushim.

“Presim që në ditët dhe javët në vijim armëpushimi të respektohet plotësisht në të gjithë rajonin dhe të lejojë zhvillimin e negociatave që, siç mbështet Franca, do të çojnë në një zgjidhje të përhershme për çështjet bërthamore, të raketave balistike dhe rajonale që lidhen me Iranin”, tha Emmanuel Macron , raportuan mediat franceze.

Macron gjithashtu mirëpriti mundësinë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit nga Irani .

Presidenti francez e përshkroi situatën në Liban si kritike."Dëshira jonë është të sigurohemi që armëpushimi të përfshijë plotësisht Libanin", shtoi Macron.

Mbrëmë vonë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pranoi propozimin e Pakistanit për një armëpushim dyjavor, gjatë të cilit duhet të nisin negociatat dhe Ngushtica e Hormuzit duhet të hapet plotësisht.