Gjykata politike lë në burg kreun e Partisë së Lirisë
Vijon saga e vendimeve politike të Gjykatës Kushtetuese e cila sot, me vendimin për lënien në burg të kreut të PL, Ilir Meta, tregon edhe njëherë se drejtësia përballë urdhërave politikë të kryeministriti është e verbër në vendimet e saj.
Kushtetuesja e ka cilësuar të ligjshëm rrëmbimin në mes të rrugës dhe mbajtjen për më shumë 18 muaj të izoluar kreun e Partisë së Lirisë.
Me shumicë vota, gjykata vendosi që të mos e marrë në shqyrtim kërkesën për shfuqizimin e masës së sigurisë me argumentin se çështja është nën hetim.
Gjykata thekson se masa e sigurimit personal ndaj ish presidentit është vendosur për një qëllim të ligjshëm, ndaj vendosi rrëzimin e kërkesës.
Në vendimin e saj, trupi gjykues arsyetoi se masa e sigurisë është e ligjshme dhe proporcionale, e bazuar në një dyshim të arsyeshëm të mbështetur në fakte dhe informacione të siguruara nga Prokuroria e Posaçme.
“Gjykata Kushtetuese sapo ka publikuar vendimin në lidhje me kërkesën e presidentit të Partisë së Lirisë, zotit Ilir Meta, në lidhje me masën arrest në burg. Masa të cilat janë vendosur nga Gjykata e shkallës së parë e posaçme, gjykata e Apelit, por dhe nga Gjykata e Lartë dhe si përfundim, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin që ta cilësojë të ligjshëm dhe sipas argumentimit të Gjykatës Kushtetuese, masa nuk është jo proporcionale. Madje thuhet se për arrestin në burg, sipas Gjykatës Kushtetuese, nga informacionet që ka marrë nga Prokuroria e Posaçme, duket se ka fakte dhe informacione që mund të ketë për veprat penale në lidhje me këtë masë sigurie. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar dhe jo vetëm kërkesën për ndryshimin e masës së arrest në burg, por gjithashtu ka shqyrtuar dhe kërkesën për mënyrën e arrestimit të zotit Meta dhe ka marrë një vendim duke u shprehur se për këtë çështje, zoti Meta ka bërë një kallëzim në prokurori dhe është ende një çështje nën hetim dhe pasi të ketë një vendimmarrje. Me sa duket dhe nga vendimi që kemi në duar, nuk ka qenë një vendim unanim, por e pyetur nga gazetarët kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Fjona Papajorgji u shpreh se nuk mund të specifikohet se cili nga gjyqtarët kanë qenë kundër, sipas saj ajo është një informacion që i përket dhomës së këshillimit dhe nuk mund të publikohet të paktën për momentin. Megjithatë, ajo e vuri në dukje që nuk ka pasur një unanimitet në këtë vendim, por ka qenë një vendim me shumicë votash, pa përcaktuar dhe numrin e votave në këtë rast. Megjithatë, tashmë siç e thamë, kërkesa e zotit Meta për ta shpallur le të themi të paktën jo proporcionale masën e arrestit ndaj tij, është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese dhe ai ndoshta duhet të vijojë të ndjekë procesin për rrëzimin e masës së sigurimit ndaj tij në gjykatën e posaçme, gjykatën e Apelit dhe sërish në Gjykatën e Lartë, duke qenë se tashmë procesi ndaj tij ka kaluar në gjyq në themel dhe në 27 prill është caktuar seanca e parë në lidhje me këtë dosje hetimore nga Prokuroria e Posaçme”, raportoi gazetari i SYRI TV Klajdi Bodlli nga Gjykata Kushtetuese