Goditet klani Senese, sekuestrohen pasuri me vlerë 1 mln euro - Lidhja me grupet kriminale shqiptare
Nga Alba Kepi
Karabinierët e Njësisë Hetimore të Romës, në bashkëpunim me repartet territoriale kompetente, kanë ekzekutuar një urdhër sekuestrimi preventiv të lëshuar me urgjencë sot, nga Prokuroria e Republikës, Drejtoria Antimafia e Qarkut të Romës (DDA).
Operacioni është zhvilluar mes Romës dhe Frascatit dhe përbën një tjetër goditje ndaj krimit të organizuar lokal, duke çuar në sekuestrimin e pasurive me vlerë mbi 1 milion euro, të dyshuara si rezultat i aktiviteteve kriminale të tipit mafioz.
Sipas autoriteteve, masa bazohet në hetime komplekse ekonomiko-financiare që kanë evidentuar një disproporcion të theksuar mes pasurive të zotëruara nga të dyshuarit dhe familjarët e tyre, dhe të ardhurave të deklaruara apo aktiviteteve të ligjshme ekonomike. Në këtë kuadër, prokuroria antimafia ka aplikuar instrumentin e “konfiskimit të zgjeruar” (neni 240-bis i Kodit Penal italian).
Operacioni lidhet me një aksion policor, zhvilluar më 5 dhjetor 2025, gjatë të cilit u ekzekutuan 14 masa arresti ndaj personave të dyshuar për vepra të rënda penale, përfshirë tentativë vrasjeje, trafik armësh, trafik droge, zhvatje dhe rrëmbime personash me rrethana rënduese të metodës mafioze.
Gjatë operacionit të sekuestrimit janë sekuestruar 3 automjete dhe 1 motorr, 20 ora luksoze, llogari bankare dhe financiare, 2 kasaforta me pasuri me vlerë të konsiderueshme
Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe pasuri shtesë të identifikuara në terren, përfshirë llogari bankare në emër të familjarëve të disa prej të dyshuarve dhe ora luksoze të gjetura në kasaforta private.
Autoritetet hetimore theksojnë se hetimet kanë në fokus goditjen ekonomike të organizatave kriminale, duke synuar heqjen e burimeve financiare që përdoren për aktivitet të paligjshëm dhe forcimin e kontrollit mbi qarkullimin e pasurive me origjinë të dyshuar kriminale.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera të mundshme të lidhura me aktivitetet kriminale të dyshuara.
Lidhja me grupet kriminale shqiptare
Një sërë operacionesh të zhvilluara nga autoritetet italiane gjatë viteve të fundit kanë hedhur dritë mbi një realitet kompleks të krimit të organizuar në kryeqytet: bashkëpunimin pragmatik mes rrjeteve të lidhura me Michele Senese dhe grupeve kriminale shqiptare që operojnë në Rome.
Edhe pse nuk ekziston një strukturë e përbashkët e formalizuar, hetimet tregojnë për një model të qartë bashkëveprimi në fusha të caktuara, veçanërisht në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
Operacionet që zbuluan rrjetin
Një nga hetimet më të rëndësishme, i njohur në media si “Grande Raccordo Criminale”, çoi në arrestimin e dhjetëra personave dhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike. Sipas hetuesve, rrjeti funksiononte mbi një ndarje të qartë rolesh: furnizimi dhe organizimi mbështeteshin nga elementë italianë të lidhur me ambientin e Camorra, ndërsa shpërndarja në terren menaxhohej kryesisht nga grupe shqiptare.
Në një tjetër operacion të gjerë, të përshkruar si “Roman Connection”, autoritetet dokumentuan komunikime dhe bashkëpunime të drejtpërdrejta mes individëve italianë dhe shqiptarë. Hetimi evidentoi përdorimin e kanaleve të përbashkëta për trafikun e kokainës, duke konfirmuar një bashkëpunim funksional dhe të orientuar drejt fitimit ekonomik.
Një dimension tjetër i rëndësishëm i këtyre lidhjeve është pastrimi i parave. Në rajonin e Lazio, Guardia di Finanza ka sekuestruar biznese dhe asete që dyshohej se përdoreshin për të ricikluar fitimet nga aktivitetet ilegale. Në disa raste, hetimet kanë zbuluar investime të përbashkëta mes shtetasve italianë dhe shqiptarë, duke treguar një nivel më të avancuar bashkëpunimi ekonomik.
Sipas ekspertëve të sigurisë, modeli i bashkëpunimit mes rrjeteve të lidhura me Michele Senese dhe grupeve shqiptare nuk i ngjan strukturave tradicionale mafioze. Nuk bëhet fjalë për një organizatë të vetme, por për marrëdhënie fleksibël, të ndërtuara mbi interesin dhe efikasitetin.
Ky realitet pasqyron transformimin e krimit të organizuar në Rome, ku grupe të ndryshme autokte dhe të huaja bashkëpunojnë dhe konkurrojnë njëkohësisht për kontrollin e tregjeve ilegale.
Operacionet e autoriteteve italiane tregojnë qartë se bashkëpunimi mes rrjeteve italiane dhe atyre shqiptare është një fakt i dokumentuar, por jo një aleancë e strukturuar. Ai mbetet një bashkëpunim pragmatik, i diktuar nga fitimi dhe dinamika e tregut kriminal.
Në këtë skenar, figura si Michele Senese vazhdojnë të përfaqësojnë një nyje të rëndësishme të këtyre rrjeteve, ndërsa grupet shqiptare mbeten aktorë kyç ne terren, duke e bërë luftën kundër krimit të organizuar gjithnjë e më komplekse për autoritetet italiane.