Stephen Curry nxjerr në ankand mbi 70 palë atlete, të ardhurat për fëmijët në Oakland

‘Ylli’ i Golden State Warriors, Stephen Curry, ka vendosur të nxjerrë në ankand një koleksion unik prej më shumë se 70 palë atletesh të përdorura gjatë këtij sezoni. Ankandi do të organizohet nga Sotheby's dhe do të zhvillohet nga 13 deri më 28 prill.

Të gjitha të ardhurat e mbledhura do të shkojnë për fondacionin ‘Eat. Learn. Play.’, i krijuar nga Curry dhe bashkëshortja e tij Ayesha Curry. Qëllimi i këtij fondacioni është të ndihmojë fëmijët në Oakland, duke u siguruar ushqim të shëndetshëm, duke nxitur leximin dhe një stil jetese aktiv.

Ky koleksion i veçantë vjen pas përfundimit të kontratës së Curry-t me Under Armour në muajin nëntor, çka i dha mundësinë basketbollistit të eksploronte lirisht marka të ndryshme atletesh gjatë sezonit. Megjithatë, ai ka ruajtur linjën e tij personale, “Curry Brand”, ndërsa modeli i fundit i krijuar me Under Armour, “Curry 13”, u lançua në muajin shkurt.

Gjatë sezonit, zgjedhjet e Curry kanë qenë të menduara me kujdes dhe shpesh me domethënie simbolike. Një ndër momentet më të veçanta ishte kur ai veshi një palë klasike Converse Weapon në Boston, si homazh për legjendën Larry Bird.

Gjithashtu, ai ka nderuar figura të mëdha të NBA si Shaquille O’Neal, Allen Iverson, Dikembe Mutombo dhe Kobe Bryant, si dhe lojtarë aktualë si Anthony Edwards, Kyrie Irving, Klay Thompson dhe Tyrese Haliburton.

“Gjithmonë kam besuar se çdo palë atlete ka historinë e saj. Ky koleksion përfaqëson një kapitull unik në karrierën time, gjatë periudhës si lojtar i lirë. Është një mënyrë për të festuar lojën dhe për të ndihmuar të tjerët”, u shpreh Curry.

Ky ankand pritet të tërheqë vëmendje të madhe, jo vetëm për vlerën sportive dhe historike të koleksionit, por edhe për ndikimin pozitiv që do të ketë në komunitetin e Oakland.