Garda Revolucionare e Iranit paralajmëron SHBA: Jemi me ‘gishtin te këmbëza', gati për t'iu përgjigjur çdo sulmi!

Garda Revolucionare e Iranit ka thënë se "gishti e saj është te këmbëza", e gatshme t'i përgjigjet çdo sulmi me më shumë forcë, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim. 

Sipas mediave shtetërore, Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) thotë se mbrëmë goditi komplekset energjetike dhe linjat e transferimit të naftës të lidhura me SHBA-në dhe Izraelin, duke përfshirë impiantet e naftës në qytetin portual të Arabisë Saudite, Yanbu.

Nuk është e qartë nëse kjo ndodhi para apo pas marrëveshjes për ndërprerjen e përkohshme të sulmeve ndaj Iranit, të njoftuar nga SHBA-të.

Kjo vjen pasi presidenti i Iranit foli për herë të parë rreth marrëveshjes së armëpushimit SHBA-Iran.

"Armëpushimi, me pranimin e parimeve të përgjithshme të dëshiruara nga Irani, ishte fryt i gjakut të udhëheqësit tonë të madh martir Khamenei, dhe arritja e pranisë së të gjithë popullit në vendngjarje", postoi Masoud Pezeshkian në X./ Sky News.