Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Gjon Shkambi tërhiqet nga kërkesa për ndryshim të masës së sigurisë në Apel
Gjon Shkambi ka tërhequr kërkesën e tij në Gjykatën e Apelit për ndryshim të masës së sigurisë. Seanca e parashikuar për orën 11:30 nuk u zhvillua, pas tërheqjes së kërkesës nga i pandehuri.
Më parë, Gjykata e Tiranës kishte miratuar kërkesën e prokurorisë për zgjatje të afateve hetimore me tre muaj, për të verifikuar disa akte ekspertimi telefonike të dërguara në laboratorin e Prokurorisë së Posaçme.
Shkambi, i cili ndodhej në sallë gjatë ngjarjes, pretendon se nuk kishte dijeni për veprimet e nipit të tij.
Gjon Shkambi është xhaxhai i Elvis Shkambit, autor i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja më 6 tetor 2025, ngjarje ku mbetën të plagosur edhe babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurti, palë kundërshtare në procesin gjyqësor.
Elvis Shkambi bashkë me xhaxhin e tij Gjonin po prisnin një vendim, mes të shumtëve në sagën e proceseve gjyqësore, sa i takon konfliktit që kishin me 31 familje për çështje pronësie. Familja Shkambi kishte përfituar një pronë si ish pronar që në vitet ’90 por strehimi i 31 familjeve në të njëjtën godinë nisi konfliktin gjyqësor që zgjat prej 3 dekadash.