Buzëqeshja e trishtë e Del Pieros pas Real-Bayern: Më vjen keq për futbollin italian

Alessandro Del Piero ishte një nga të ftuarit specialë në “Bernabeu” për ndeshjen spektakolare mes Real Madridit dhe Bayernit të Mynihut, një duel që ofroi emocione të forta për çdo tifoz të futbollit. Ish-‘ylli’ italian, i intervistuar nga “Sky”, rrëfeu përvojën e tij:

“Largohem me një buzëqeshje të trishtë. Pamë një ndeshje të jashtëzakonshme, ndihesh i përfshirë në çdo moment; 4 000 tifozët e Bayernit nuk pushuan së kënduari. ‘Bernabeu’ u ndez veçanërisht në momentin e golit të dytë, nga fishkëllimat te duartrokitjet e mëdha për një goditje këndi”.

Del Piero nënvizoi se ndeshja ishte një spektakël për futbollin, por njëkohësisht një kujtesë e dhimbshme për situatën e klubeve italiane: “Të mendosh se ne italianët jemi ende pak larg me ekipet tona, të vjen keq. Nuk jemi më në këtë Champions dhe nuk jemi ende në këto nivele”.

Ai përfundoi me një mesazh të përzier: “Buzëqeshje për mbrëmjen e bukur, një pikë trishtimi, por edhe shpresë për të arritur sa më shpejt këto nivele”.