PD i kërkon Kuvendit të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar propozimin për uljen e çmimit të naftës

Partia Demokratike i ka kërkuar Kuvendit që të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar, propozimin e saj për uljen e çmimit të naftës.

Grupi parlamentar i opozitës kërkon që ky propozim të përfshihet në seancën plenare të 16 prillit, si një masë emergjente që do të sillte shmangien e pasojave ekonomike që rëndojnë mbi qytetarët.

Propozimi i Partisë Demokratike kërkon vendosjen e akcizës së ndryshueshme për lëndët djegëse. Thënë ndryshe, e gjithë TVSH-ja që akumulohet nga rritja e çmimit të karburantit do të shkojë automatikisht për uljen e akcizës së naftës.

Nëse kjo masë do të aplikohej, sot çmimi i naftës nuk do të ishte më i lartë se 180 lekë për litër.

Nisma mban firmën e 36 deputetëve të PD,  të cilët ndajnë shqetësimin e përbashkët për rritjen e papërballueshme të çmimit të karburanteve për çdo qytetarë shqiptarë, me pasoja edhe në rritjen e produkteve të tjera jetësore, duke kërkuar miratimin e kësaj kërkese.