Mëmëlishti pa ujë të pijshëm, banorët detyrohen ta sigurojnë me mjete rrethanore
Fshati Mëmëlisht, në Pogradec, vijon të përballet me një situatë shqetësuese sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, ndërsa investimet e kryera ndër vite nuk kanë dhënë zgjidhjen e premtuar për banorët.
Sipas banorëve, uji që furnizon banesat është i pakonsumueshëm, për shkak të përzierjes me minerale që vijnë nga zona e minierës së Gurit të Kuq. Kjo ka bërë që një nevojë bazë si uji i pijshëm të kthehet në problem të përditshëm për komunitetin.
Përballë kësaj situate, banorët janë detyruar të gjejnë alternativa, duke u furnizuar në burime natyrore dhe duke transportuar ujin me mjete rrethanore si karroca, biçikleta apo automjete. Disa familje kanë hapur edhe puse për të siguruar minimumin jetik për përdorim ditor.
Ndërkohë, problematikat nuk ndalen vetëm tek uji. Investimi për rehabilitimin e rrjetit të ujërave të zeza ka sjellë dëmtime të konsiderueshme në infrastrukturën rrugore të fshatit.
Segmentet janë në gjendje të rënduar, duke vështirësuar qarkullimin dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të banorëve.
Edhe pse punimet për ujërat e zeza vijojnë, mbetet e paqartë nëse do të ketë ndërhyrje për rikonstruksionin e rrugëve të dëmtuara.
Për banorët e Mëmëlishtit, mungesa e ujit të sigurt dhe infrastruktura e amortizuar mbeten dy nga shqetësimet më të mëdha që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.