'Kriza e çmimeve thellohet'/ Eksperti: Masat aktuale nuk mbrojnë qytetarët, më shumë propagandë se zgjidhje

Artur Ribaj, ekspert tregjesh i ftuar ditën e sotme në “Kafe Shqeto” tha se situata aktuale ekonomike në Shqipëri është rezultat i një inflacioni të importuar, i cili po godet jo vetëm vendin tonë, por të gjithë rajonin. Megjithatë, sipas tij, problemi kryesor nuk qëndron vetëm tek natyra e krizës, por tek mungesa e masave efektive për të amortizuar ndikimet e saj në ekonominë vendase.
 
Ribaj u shpreh kritik ndaj mekanizmave të ndërmarrë nga institucionet, duke i cilësuar si të pamjaftueshme dhe më tepër “fasadë” sesa zgjidhje reale.
Ai vuri në pikëpyetje funksionimin e Bordit të Transparencës, duke argumentuar se luhatjet në bursat ndërkombëtare nuk reflektohen menjëherë në tregun vendas, çka tregon mungesë reagimi dhe kontrolli real mbi çmimet.
 
Sipas ekspertit, rritja e vazhdueshme e çmimeve po çon në një tkurrje të konsumit, duke detyruar qytetarët të blejnë gjithnjë e më pak.
Ky fenomen, theksoi ai, ka pasoja të drejtpërdrejta në strukturën e ekonomisë shqiptare, ku konsumi përbën rreth 70% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në këtë kontekst, një rënie prej 5% e konsumit mund të përkthehet në një tkurrje prej rreth 3.5% të GDP-së.
 
Ribaj paralajmëroi se efektet do të jenë zinxhir, duke goditur fillimisht biznesin e shitjeve me pakicë, që mbijeton nga konsumi i përditshëm, e më pas duke reflektuar në uljen e investimeve, të ardhurave dhe në fund edhe të vetë të ardhurave buxhetore të shtetit.
 
Ndërsa në afat të shkurtër qeveria mund të përfitojë nga rritja e të ardhurave përmes taksave të lidhura me çmimet e larta, eksperti thekson se kjo është një “fitore e përkohshme”. Në afat të gjatë, sipas tij, ekonomia rrezikon të futet në një fazë stagnimi apo edhe rënie reale, ku inflacioni tejkalon rritjen ekonomike.
 
Në përfundim, Ribaj ngriti shqetësimin se mungojnë strategjitë afatgjata dhe “amortizatorët” ekonomikë që do të garantonin një zhvillim të qëndrueshëm, duke shtuar se vendi rrezikon të mbetet në një cikël politikash sipërfaqësore, pa ndikim real në mirëqenien e qytetarëve.

Deklarata në studio:

"Çështja qëndron që efekti është kompleks dhe nuk mund të jetë kaq i lokalizuar.  Fakti është se ne jemi në rastin e një inflacioni të importuar për shkak të këtyre krizave, problemi qëndron që kjo është edhe për vendet e tjera të rajonit, nuk është vetëm për Shqipërinë. 

Çfarë masash merren në vend që të amortizohen pikërisht këto goditje? Ky është problemi kryesor.  Dhe ndër masat që duhen marrë, nuk mjafton të kemi një bord transparence, i cili presupozohet se do të krijojë një reduktim apo një ruajtje, një kontroll të ecurisë së rritjes së çmimeve. 

Sepse në qoftë se do të ishte e tillë, atëherë mbrëmë konkretisht kemi pasur rënie të çmimit në bursë, por duhet automatikisht sot në mëngjes duhet të gdhishim me çmime të reflektuara të naftës së reduktuar. 

Kështu që ku qëndrojnë këto institucione? Duket sikur jemi në faktorin e fasadës. 

Ndërkohë, do të thoja ndryshe, nëse ne ballafaqohemi me një rënie të konsumit për shkak të rritjes së çmimeve, që do të thotë, shqiptarët do të blejnë gjithmonë e më pak.

Dhe në afat të shkurtër jam dakord që shteti është kthyer, thjesht aplikon rritjet të grumbullimit të taksave, sepse rritja e çmimeve automatikisht gjeneron, të ardhura më shumë për qeverinë. Por kjo është një fitore në afat të shkurtër e qeverisë. 

Dhe sipas gjithë ushtrimeve, duke qenë që konsumi është faktori kryesor në GDP-në e vendit, që shkon tek 70%-shi i saj, atëherë do të japë një efekt zinxhir në të gjithë goditjen e të gjithë faktorëve të tjerë, që do të godasi biznesin retail, që punësohet dhe mbijeton përmes shitjeve me pakicë, që mbijeton bazuar në këto lloj konsumimesh. 

Patjetër, do të japin më pak investime prej tyre, do të japin më pak të ardhura dhe taksa të mbledhura nga vetë qeveria më pas. Dhe kjo jep një efekt diku tek 3.5% rënie, pra një 5% rënie në konsum, automatikisht do të godasi në një 3.5% rënie në GDP. 

Po, ndërkohë që ne flasim për një inflacion i cili automatikisht do të marri rritje, që do të thotë ne jemi diku te 3%-shi sot. Ne do të rezultojmë jo më me rritje reale, për të qenë korrekt, por do të jemi në zonën negative. 

Pra, efektet, nëse pikërisht çështja qëndron jo tek momenti, por se sa në mënyrë afatgjatë qeveria është duke menduar për zhvillimin e ekonomisë. Çfarë lloj amortizatorësh krijohen që ne të kemi realisht një rritje ekonomike dhe jo thjesht fasadë".