Conte drejt rikthimit tek Italia, Napoli mendon për pasuesin: Motta në ‘pole’, por ka edhe alternativa
E ardhmja e Antonio Contes duket gjithnjë e më shumë e lidhur me një rikthim në krye të Kombëtares së Italisë. Sinjalet janë të shumta dhe tashmë po marrin formën e një skenari konkret: trajneri aktual i Napolit mund të nisë një aventurë të re si selektor i “axurrëve”.
Deklaratat e presidentit Aurelio De Laurentiis, i cili ka lënë të hapur largimin e Contes në rast se ky i fundit e kërkon, si dhe mbështetja nga figura të rëndësishme të futbollit italian, e bëjnë këtë mundësi gjithnjë e më reale. Vetë Conte nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për t’u rikthyer te Italia, sidomos pas largimit emocional në vitin 2016, kur u eliminua me penallti nga Gjermania në Euro 2016.
Megjithatë, përpara këtij hapi, ai është i fokusuar te fundi i sezonit me Napolin, që ndodhet 7 pikë pas Interit dhe ende shpreson për një mrekulli në garën për titull. Pavarësisht vështirësive dhe dëmtimeve të shumta, Conte ka treguar edhe një herë vlerën e tij si një nga trajnerët më ndikues në futbollin italian.
Ndërkohë, Napoli ka nisur të mendojë për pasuesin. Emri më i përfolur është Thiago Motta, i cili është i lirë dhe i etur për t’u rikthyer në skenë pas eksperiencës së fundit. Në listën e presidentit janë edhe Vincenzo Italiano, një nga trajnerët më në formë të viteve të fundit, si dhe Fabio Grosso, që ka bërë paraqitje shumë të mira me Sassuolon.
Gjithçka mbetet e hapur, por një gjë është e qartë: rikthimi i Contes te Italia duket më pranë se kurrë, ndërsa Napoli përgatitet për një kapitull të ri.