Mungesat kufizojnë Barcelonën, Flick përballet me zgjedhje kyçe ndaj Atletico-s

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, pritet të marrë disa vendime shumë të rëndësishme për përballjen ndaj Atletico Madridit, në një ndeshje vendimtare. Megjithatë, mungesat në skuadër ia bëjnë më të kufizuara alternativat për formacionin titullar.

Pa lojtarë si Raphinha, Marc Bernal dhe Frenkie de Jong, tekniku gjerman e ka më të vështirë të bëjë rotacion. Pikëpyetjet kryesore mbeten në krahun e djathtë të mbrojtjes, në rolin e mesfushorit shkatërrues dhe në majën e sulmit.

Në portë, Joan Garcia është i padiskutueshëm. Në mbrojtje, dëmtimi i Ronald Araújo-s në ndeshjen e fundit ndaj Atleticos i hap rrugën Jules Koundé në krahun e djathtë, ndërsa pjesa tjetër e repartit pritet të mbetet e pandryshuar, me Pau Cubarsí dhe Gerard Martín në qendër, si dhe João Cancelo në të majtë.

Në mesfushë, mungesa e Bernal pritet të konfirmojë Eric Garcian si ‘pivot’, i shoqëruar nga i pazëvendësueshmi Pedri, për të cilin stafi teknik po tregohet i kujdesshëm për shkak të ngarkesës fizike.

Në repartin ofensiv, pritet një treshe dinamike me Lamine Yamal, Fermín López dhe Marcus Rashford, ky i fundit në formë të mirë pas golit të fundit në kampionat.

Vendimi më i madh i Flick mbetet në majën e sulmit. Dani Olmo shihet si favorit pas paraqitjes së mirë ndaj Atleticos, por në dispozicion janë edhe Robert Leëandoëski dhe Ferran Torres. Zgjedhja përfundimtare pritet të zbulohet vetëm pak para nisjes së ndeshjes.

Një gjë është e sigurt: Flick duhet të gjejë ekuilibrin mes nevojës për rezultat dhe menaxhimit të forcave, në një sfidë ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.