FIFA hap procedurë ndaj Spanjës për thirrjet islamofobike nga tifozët në miqësoren me Egjiptin
Një tjetër episod i rëndë ka tronditur futbollin ndërkombëtar, teksa FIFA ka nisur procedurë disiplinore ndaj Federatës Spanjolle të Futbollit pas incidenteve në një ndeshje miqësore.
Ngjarja ndodhi gjatë përballjes mes Spanjës dhe Egjiptit, e zhvilluar në “RCDE Stadium” (stadiumi i Espanjolit të Barcelonës), ku një pjesë e tifozëve vendas shpërthyen në kore me përmbajtje islamofobike dhe ksenofobike.
Sipas raportimeve dhe dokumentacionit zyrtar të arbitrit, në stadium janë dëgjuar thirrje fyese si: “kush nuk kërcen është musliman”, duke shkaktuar reagime të forta dhe dënim të menjëhershëm publik.
Rasti tashmë i ka kaluar Komitetit Disiplinor të FIFA-s, i cili pritet të vendosë për masat ndëshkuese.
Ndër sanksionet e mundshme përmenden gjoba financiare, por edhe masa të tjera si detyrimi për të promovuar mesazhe kundër racizmit në ndeshjet e ardhshme.
Paralelisht, autoritetet në Spanja kanë nisur hetime për këtë incident, duke e trajtuar si një rast të mundshëm të diskriminimit dhe islamofobisë.
Reagimet nuk kanë munguar as nga protagonistët e fushës. Talenti i Spanjës, Lamine Yamal, i cili është mysliman, i ka dënuar publikisht këto sjellje, duke i cilësuar si të papranueshme dhe fyese.
Ky episod rikthen në fokus problemin e vazhdueshëm të racizmit dhe diskriminimit në futboll, ndërsa FIFA ka theksuar edhe një herë se mbetet e vendosur në politikën e saj të “zero tolerancës” ndaj çdo forme urrejtjeje në stadiume.