Milani paguan gjoba të majme për ‘vonesat’ e Allegrit

Milani vazhdon të ndëshkohet financiarisht për shkak të një strategjie të veçantë të trajnerit Massimiliano Allegri, e cila po i kushton klubit shifra të konsiderueshme gjatë këtij sezoni.

Komisioni i Disiplinës në Federatën Italiane të Futbollit ka vendosur një tjetër gjobë për klubin kuqezi, këtë herë në vlerën e 25 mijë eurove.

Arsyeja mbetet e njëjtë: vonesa në dalje në fushë.

Sipas raportit zyrtar, Milani është paraqitur me 2 minuta vonesë në nisje të ndeshjes dhe me 3 minuta vonesë në fillimin e pjesës së dytë – një skenar që është përsëritur disa herë gjatë këtij sezoni.

Kjo nuk është rastësi. Bëhet fjalë për një taktikë të qëllimshme nga Allegri, një lloj “loje psikologjike” që ai përdor sidomos në ndeshje të rëndësishme ose në momente delikate, për të ndikuar në ritmin dhe përqendrimin e kundërshtarit.

Megjithatë, kjo strategji po i kushton shtrenjtë klubit. Deri tani, Milani ka paguar plot 132 mijë euro gjoba vetëm për këto vonesa – një shifër e konsiderueshme që ngre pikëpyetje nëse përfitimi sportiv e justifikon koston financiare.

Mbetet për t’u parë nëse klubi do të vazhdojë ta tolerojë këtë qasje, apo nëse presioni financiar do ta detyrojë stafin teknik të ndryshojë strategji në vijim të sezonit.