Sindroma e kokës që shpërthen: gjendja e zakonshme me një emër të frikshëm
A ju ka ndodhur ndonjëherë të dëgjoni papritur një zhurmë të fortë si shpërthim, të shtënë arme apo përplasje dere brenda kokës? Zgjoheni menjëherë me zemrën që rreh fort, por gjithçka përreth është e qetë. Edhe pse përjetimi duket shumë real, në fakt nuk ka ndodhur asgjë.
Kjo quhet sindroma e kokës që shpërthen. Pavarësisht emrit alarmues, ajo nuk është e rrezikshme, nuk shkakton dhimbje dhe nuk tregon problem serioz në tru.
Çfarë është?
Kjo gjendje është një çrregullim gjumi i quajtur parasomni, përvoja të pazakonta që ndodhin gjatë gjumit ose në kalimin midis gjumit dhe zgjimit. Personi percepton një zhurmë shumë të fortë që duket sikur vjen nga brenda kokës, por është një ndjesi e krijuar nga truri, jo një tingull real.
Zakonisht ndodh kur njeriu është duke rënë në gjumë. Njerëzit përshkruajnë shpërthime, krisma metalike, fishekzjarre, valë deti ose zhurma elektrike. Episodi zgjat vetëm pak sekonda dhe zhduket sapo personi zgjohet.
Megjithëse zakonisht është pa dhimbje, mund të shoqërohet me ndezje drite, ndjesi elektrike në trup ose çorientim. Frika vjen kryesisht nga reagimi i alarmit të trupit, pasi truri aktivizon përkohësisht mekanizmin “lufto ose ik”.
Çfarë e shkakton?
Shkaku i saktë nuk dihet. Studiuesit besojnë se lidhet me proceset e trurit gjatë kalimit në gjumë, të ngjashme me halucinacionet hipnagogjike. Ndërsa flemë, pjesë të ndryshme të trurit “fikin” gradualisht aktivitetin; një çrregullim i përkohshëm në këtë proces mund të interpretohet si zhurmë e fortë. Një teori tjetër lidhet me ndryshime të përkohshme në trungun e trurit, që kontrollon kalimin mes zgjimit dhe gjumit.
Kjo sindromë nuk lidhet zakonisht me migrenën apo epilepsinë.
Sa e zakonshme është?
Mendohet se prek të paktën 10% të popullsisë dhe rreth 30% e njerëzve e përjetojnë të paktën një herë në jetë. Mund të shfaqet në çdo moshë, shpesh pas të 50-ave, dhe lidhet më shpesh me pagjumësinë, paralizën e gjumit, stresin, ankthin dhe çrregullimet e ritmit të gjumit.
Si trajtohet?
Sindroma është e padëmshme dhe episodet zakonisht zhduken vetë. Shpesh mjafton që personi të kuptojë se nuk është e rrezikshme për të ulur frikën dhe shpeshtësinë e episodeve.
Medikamentet përdoren vetëm kur episodet janë shumë të shpeshta ose shqetësuese, ndërsa trajtimi kryesor përfshin përmirësimin e gjumit, uljen e stresit dhe teknika relaksimi.
Megjithëse zakonisht e padëmshme, duhet konsultë mjekësore nëse episodet janë të dhimbshme, të shpeshta, ndikojnë në jetën e përditshme ose shoqërohen me humbje ndjenje, konfuzion apo dhimbje të forta koke. /Independent – Syri.net