SYRI TV/ PS refuzon kërkesën për komisone hetimore, jo hetim parlamentar për AKSHI-n e ARRSH-në
Mazhoranca socialiste rrëzoi kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore për aferat korruptive të AKSHI-t dhe ARRSH-së. Në një mbledhje të tensionuar të Konferencës së Kryetarëve, kreu i deputetëve demokratë, Gazment Bardhi, deklaroi se kërkesat e opozitës po rrëzohen nga “urrejtja politike”, teksa Kuvendi është kthyer në një fasadë ku nuk lejohen interpelancat, mocionet apo debatet. Siç u pa edhe nga mbledhja e kësaj të marte, Kryeministri Rama vazhdon të mos lejojë kontrollin parlamentar të aferave korruptive të qeverisë së tij.
Mazhoranca rrëzoi në Konferencën e Kryetarëve kërkesat e opozitës për krijimin e dy komisioneve hetimore parlamentare. Opozita kërkoi ngritjen e një komisioni për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të AKSHI-t dhe për tenderët e ndërtimit të rrugëve. Mbledhja u karakterizua nga debate të forta mes palëve. Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, akuzoi mazhorancën se po pengon funksionimin e Parlamentit dhe po injoron rolin e opozitës.
Në një debat të fortë me kryetarin Niko Peleshi, Bardhi theksoi se kërkesat e opozitës rrëzohen për “urrejtje politike” dhe se nuk ka hapësirë për komisione hetimore, interpelanca apo mocione me debat. Pas mbledhjes, Bardhi tha se mazhoranca po e kthen Kuvendin në një fasadë dhe akuzoi Kryeministrin Rama si autorin e vetëm të bllokimit të integrimit.
Nga ana tjetër, kreu i deputetëve socialistë, Taulant Balla, u përpoq të justifikojë refuzimin e kërkesës për ngritjen e komisioneve hetimore, duke thënë se këto çështje janë në hetim nga prokuroria.
Siç u pa edhe nga mbledhja e kësaj të marte, Kryeministri Rama vazhdon të mos lejojë kontrollin parlamentar të aferave korruptive të qeverisë së tij dhe po i pamundëson opozitës instrumentet e kontrollit parlamentar, të cilat janë të përcaktuara në Kushtetutë dhe në rregulloren e Kuvendit.