SYRI TV/ Milionat e sterilizimit tek të njëjtit emra - Operatori tender pa garë

Kontratat e sterilizimit vijojnë të përfitohen nga të njëjtit emra. Operatori Shtetëror i Sterilizimit i ka dhënë pa garë një tender me vlerë 250 mijë euro, kompanisë “Gama Service” me pronar Artan Lleshin. Ky i fundit ishte emëruar më parë drejtor i kompanisë koncensionare “Sani Service” dhe sipas fakteve të publikuara në emisionin PLUG, ngriheshin dyshimet se ky biznesmen mund të ishte “presta nome” i grupit që kontrollonte koncensionin e sterilizimit.

Syri tv

Në përfundim të kontratës koncesionare korruptive të Sterilizimit, qeveria e Edi Ramës krijoi një Operator Shtetëror, i cili do të vijonte procesin e pastrimit të pajisjeve kirurgjikale mjekësore.

Në janar të këtij viti u shënua fundi i kontratës me kosto mbi 100 milionë euro, për të cilën gjenden të arrestuar ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ish-zëvendësi i tij, Klodian Rrjepaj dhe emigrant-biznesmen, Ilir Rrapaj.

Prokuroria e Posaçme zbuloi një skemë të madhe mashtrimi financiar në hartimin dhe zbatimit e kësaj kontrate.

Në dosjen e SPAK-ut, ndër të tjera, është zbuluar edhe një detaj interesant. Shtetasi Artan Lleshi, një mik i përbashkët i Rrapajt dhe Rrjepajt, u emërua fillimisht drejtor i kompanisë koncesionare, “SaniService”.

Më tej, Lleshi, në vitin 2020, krijoi një kompani private, “GamaService”, e cila u kontraktua nga koncesionari i Sterilizimit për transportimin e pajisjeve kirurgjikale.

Emisioni “Plug”, në “Syri Televizion”, në puntatën e publikuar në Dhjetor 2024, solli fakte e prova, që ngrinin dyshime se biznesmeni Lleshi mund të ishte një “presta-nome” i grupit të personave që kontrollonin koncesionin e Sterlizimit. Megjithatë, SPAK-u, deri në këtë moment, nuk ka dhënë qëndrim publik për përfshirjen e tij nën hetim.

Por, megjithë dyshimet zyrtare dhe publike për rolin e Artan Lleshit në këtë histori korruptive, ai vijon të jetë sërish përfitues nga procesi i Sterizilimit.

Pak ditë më parë, e konkretisht në 19 Mars 2026, kompania e tij, “Gamaservice” shpk, është shpallur fituese e një tenderi të mbyllur të zhvilluar nga Operatori Shtetëror i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit, me vlerë rreth 250 mijë euro.

Në Buletinin e Prokurimit Publik, të shpallur këtë të Martë, thuhet se tenderi është zhvilluar me procedurën e negociimit, pa shpallje paraprake, për “Transportin e seteve sterile, materialeve të buta dhe transportin e mbetjeve të rrezikshme spitalore”.

Në fillim të marsit, Gjykata e Posaçme shpalli fajtor dhe dënoi me një total prej 28 vitesh burgim 8 prej të pandehurve të dosjes “Sterilizimi”. Dënimet më të larta u dhanë për Ilir Rrapaj dhe Klodian Rrjepaj, me nga 6 vjet burgim. Ndërkohë, procesi ndaj ish-ministri Ilir Beqja po zhvillohet i veçuar.