U kafshua nga qeni në Lungomare, katërvjeçarja jashtë rrezikut për jetën
Një vajzë 4-vjeçare, e cila u kafshua nga një qen i racës pit bull në zonën e Lungomares në Vlorë, është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të qytetit për ndihmë mjekësore.
Sipas burimeve nga spitali, e mitura ka pësuar dëmtime në pjesën e kokës, por pas ekzaminimeve të kryera, përfshirë radiografinë, nuk janë konstatuar dëmtime serioze. Mjekët bëjnë me dije se plagët janë sipërfaqësore dhe të kufizuara në lëkurë.
LEXO EDHE: E rëndë në Vlorë! Vogëlushja kishte dalë shëtitje me gjyshërit, pitbulli kafshon në kokë 4-vjeçaren
Aktualisht, vajza ndodhet nën kujdesin e vazhdueshëm të stafit mjekësor dhe po merr trajtimin e nevojshëm. Gjendja e saj paraqitet e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.
Megjithatë, familjarët e të miturës shprehen të shqetësuar për ngjarjen. Në një prononcim për mediat, nëna e vajzës deklaroi se situata ka qenë shumë e rëndë për ta emocionalisht dhe kërkoi më shumë siguri në hapësirat publike.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë dhe kontrollit të kafshëve në zonat turistike, veçanërisht gjatë sezonit kur frekuentimi është më i lartë.