Bardhi: Qeveria po e kthen kuvendin në fasadë, Rama autori i vetëm që pengon integrimin
Qeveria Rama ka rrëzuar sërish kërkesat e opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare, si dhe një mocion me debat mbi raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve.
Në një reagim për mediat pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, akuzoi qeverinë se po bllokon në mënyrë sistematike çdo mekanizëm të kontrollit parlamentar, duke e kthyer Kuvendin në një institucion jofunksional.
Bardhi theksoi se pengesa reale për integrimin është refuzimi i mazhorancës për të lejuar funksionimin e mekanizmave demokratikë dhe kontrollin parlamentar. Ai e cilësoi kryeministrin Edi Rama si “autorin e vetëm” të veprimeve që pengojnë procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Pjesë nga deklarata:
Mazhoranca vendosi të rrëzojë dy kërkesa për ngritje të komisioneve hetimore, të kërkuara nga jo më pak se 1/5 e deputetëve, si dhe zhvillimin e një mocioni me debat mbi raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit sa i takon klimës së investimeve në Shqipëri. Bëhet fjalë për kërkesën e pestë për ngritje të një komisioni hetimor, pas rrëzimit të tre të parave, çka tregon se mazhoranca, me votë politike, pengon opozitën të kryejë kontroll parlamentar. Po ashtu, bëhet fjalë për mocionin e shtatë me debat që refuzohet, në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, një e drejtë që kjo rregullore ua njeh deputetëve të opozitës për të kërkuar debat mbi çështje me interes publik.
Dua t’ju citoj se kam dëgjuar shpesh gjatë këtyre ditëve pretendimet e kryeministrit se integrimi po pengohet nga opozita. Në fakt, me veprime konkrete, është mazhoranca ajo që po bën gjithçka për ta vonuar procesin e integrimit. Në raportin e vitit 2025 për Shqipërinë të Komisionit Europian, ndër të tjera theksohet se parlamenti pengohet nga mbikëqyrja e kufizuar ndaj ekzekutivit. Në gjashtë muaj funksionimi të kësaj legjislature, asnjë mekanizëm kontrolli ndaj ekzekutivit nuk është pranuar nga mazhoranca. Ka me dhjetëra interpelanca të kërkuara me kryeministrin apo ministrat, të cilat janë refuzuar. Ka shtatë mocione me debat që gjithashtu janë refuzuar. Ka pesë kërkesa për ngritje të komisioneve hetimore, të cilat janë refuzuar.
Çfarë synonim ne përmes dy komisioneve hetimore që kërkuam të ngriheshin? Së pari, të verifikonim procedurat e ndjekura nga Ministria e Infrastrukturës dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për infrastrukturën rrugore në vend, të cilën çdo shqiptar e ka parë që, pavarësisht se gllabëron miliona euro çdo vit, me shiun apo erën e parë, rrugët shkatërrohen. Tunelet e ndërtuara me miliona euro dëmtohen, infrastruktura publike degradohet. Këtu parlamenti ka një rol për të luajtur: të kontrollojë, së pari, si janë realizuar këto procedura, nëse është respektuar apo jo legjislacioni i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe, së dyti, të rekomandojë masa për përmirësim, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten.
Çfarë kishte të bënte komisioni tjetër? Është rast unik që një institucion publik, zyrtarisht nga prokuroria, cilësohet si grup i strukturuar kriminal. A duhet të reagojë Kuvendi i Shqipërisë, institucioni që përfaqëson interesin e qytetarëve, për të dhënë mesazhin se nuk mund të pranohet që në Shqipëri, në vitin 2026, të kemi institucione që funksionojnë si grup i strukturuar kriminal? I referohem rastit të ASHK-së. A ka pasur, për shkak të kësaj veprimtarie të kundërligjshme të titullarëve të këtij institucioni, cenim të sigurisë kombëtare? A ka pasur cenim të së drejtës së qytetarëve për mbrojtjen e të dhënave personale? Këto janë detyrime që Kuvendi duhet t’i përmbushë dhe që i ka si përgjegjësi kushtetuese.
Deputetët e opozitës kanë bërë rolin e tyre: kanë kërkuar aplikimin e këtyre mekanizmave të kontrollit dhe, me votë politike, në kundërshtim me Kushtetutën dhe rregulloren, këto kërkesa refuzohen në mënyrë të vazhdueshme, sipas një strategjie të qartë për të zeruar rolin kontrollues të parlamentit dhe rolin e deputetëve të opozitës. Dhe më pas flitet për pengim të integrimit.
Integrimi pengohet nëse institucione si Kuvendi i Shqipërisë bëhen jofunksionale, shndërrohen në fasadë të qeverisë dhe nuk ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese, duke mos funksionuar sipas standardeve demokratike dhe europiane, si çdo parlament normal në botë. Pengohet integrimi kur, në vend që të lejojmë prokurorinë dhe drejtësinë të bëjnë punën e tyre, ngremë kartonë të kuq për t’i penguar. Pengohet integrimi nëse Kuvendi refuzon zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Dhe të gjitha këto veprime penguese ndaj procesit të integrimit kanë një autor: Edi Rama dhe mazhoranca e tij në Kuvend.