Mediu: Aktet e mia ishin ligjore dhe administrative, tragjedia në Gërdec mund të ishte shmangur po të respektoheshin kontratat
Deputeti Fatmir Mediu, në një prononcim për mediat pas seancës në GJKKO për çështjen “Gërdeci”, ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se përgjegjësia për tragjedinë nuk qëndron tek urdhri i tij, por tek moszbatimi i kontratave për demontimin e municioneve.
Mediu sqaroi se procesi gjyqësor ndaj tij nuk lidhet drejtpërdrejt me shpërthimin tragjik, por me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, një fakt që, sipas tij, e ka pohuar qartë edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Ai theksoi se akuza e ngritur nga prokuroria nuk është e individualizuar. “Ky është problemi, se nuk ka individualizim. Aty thuhet që ministri ka nxjerrë një urdhër dhe pastaj ky urdhër del nga i gjithë konteksti juridik,” u shpreh ai.
Në fjalën e tij, ish-ministri bëri një dallim të prerë mes veprimeve të tij dhe procesit që çoi në katastrofë. “Akti i ministrit nuk është urdhër demontimi. Unë kam dhënë urdhër për kalim municionesh ndërmarrjes MEICO. Nga forcat e armatosura të kalojnë në MEICO,” pohoi Mediu, duke shtuar se ky veprim ishte në zbatim të një VKM-je dhe të Kodit Civil.
Sipas tij, procesi i demontimit rregullohej nga një kontratë specifike, e cila parashikonte qartë detyrimet e palëve dhe ishte pjesë e marrëveshjeve mes strukturës ushtarake dhe kompanisë MEICO.
Duke e zhvendosur përgjegjësinë te zinxhiri zbatues, Mediu argumentoi se tragjedia mund të ishte shmangur. “Në qoftë se do ishin zbatuar të gjitha ato çka janë shkruar në kontratë edhe në marrëveshje, në bindjen time nuk do të kishte pasur një situatë apo një shpërthim tragjik si ai që ndodhi,” përfundoi ai.
Mbi bazën ligjore të veprimeve të tij, Mediu këmbënguli se nuk ka pasur asnjë boshllëk ligjor për trajtimin e municioneve në Forcat e Armatosura, duke pretenduar se këtë e kanë konstatuar edhe ekspertët e thirrur nga vetë prokuroria.
Deklarata e plotë:
"Edhe nga fakti se ju bëtë pyetjen domethënë procesi i Gërdecit, dua të them që nuk është procesi i Gërdecit, është një proces për shpërdorim detyre që nuk ka të bëjë me shpërthimin në Gërdec dhe këtë e ka thënë në mënyrë të qartë prokuroria dhe SPAK-u.
Ky është problemi se nuk ka individualizim. Domethënë aty thuhet që ministri ka nxjerrë një urdhër dhe pastaj ky urdhër del nga i gjithë konteksti juridik i të gjithë akteve të tjera, ligj, VKM apo akte të tjera normative.
Urdhërat e ministrit kanë qenë me karakter individual, administrativ. Dhe një urdhër ministri nuk zhbën një akt normativ, nuk zhbën një VKM, nuk zhbën një ligj.
Dhe kur në cilësimin e një urdhëri janë vendosur baza ligjore që është ligji apo VKM-ja dhe pastaj strukturat zbatuese duhet t'i referohen detyrave që kanë në raport me ligjin, VKM-në dhe përfshi dhe urdhërin e ministrit.
Pra nuk ka asnjë boshllëk ligjor për trajtimin e municioneve në forcat e armatosura dhe këtë e kanë konstatuar dhe ekspertët që ka thirrur prokuroria.
Që akti i bërë nga ne si qeveri, si akt rregullator, plotëson të gjithë gamën e trajtimit të aspektit të trajtimit të municioneve të tepërta.
Dhe për më tepër e përsëris, akti i ministrit nuk është urdhër demontimi.
Unë kam dhënë urdhër për kalim municionesh ndërmarrjes MEICO.
Nga forcat e armatosura kalojnë në MEICO në zbatim të VKM-së 138 dhe të kodit civil. Dhe pastaj do të jenë detyrat për bashkëpunim ndërmjet strukturës ushtarake dhe MEICO-s.
Ky ka qenë urdhëri. Urdhëri për demontim përfshihet në kontratë. Kontrata ka parashikuar detyrimet e veta, përfshihet në marrëveshjet me komandat dhe të MEICO-s dhe në qoftë se do ishin zbatuar të gjitha ato çka janë shkruar në kontratë edhe në marrëveshje, në bindjen time nuk do të kishte pasur një situatë apo një shpërthim tragjik si ai që ndodhi".