Matthäus kritikon Vinicius dhe Realin: Vetëm ankohen, mungesë respekti ndaj të tjerëve

Lothar Matthäus, legjendë e Bayern Munich dhe ish-lojtar i njohur, ka kritikuar ashpër Vinicius Jr. dhe Real Madridin pak para çerekfinales së Champions League.

“Vinicius është pa dyshim një lojtar i madh, por provokon pa pushim. Kur dikush e ndalon me kontakt të rregullt, ai vetëm ankohet dhe qan,” tha Matthäus për Sky Sports, duke vënë në dukje mungesën e disiplinës dhe respektit në fushë.

Gjermani nuk i kurseu komentet edhe për klubin madrilen, duke përmendur bojkotin e Real Madridit ndaj gala-s së “Topit të Artë” 2024, ku fitues u shpall spanjolli Rodri, ndërkohë që Vinicius ishte favorit. “Rodri u zgjodh dhe ata thanë: ‘Është e padrejtë. Duhej të fitonte një nga tanët (Vinicius). Ne e bojkotuam.’ Kjo nuk tregon respekt ndaj kundërshtarit, ekipeve të tjera dhe lojtarëve,” shtoi Matthäus.

Për ndeshjen ndaj Real Madridit, 65-vjeçari vlerësoi sulmin e Bayernit, duke përmendur Luis Díaz, Harry Kane dhe Michael Olise: “Çdo pjesë funksionon si një orë zvicerane. Me Olise, Kane, Díaz, Musiala, Karl dhe Gnabry, linja e sulmit është jashtëzakonisht e larmishme. Në Europë, vetëm Barcelona mund ta rivalizojë.”

Ky koment vjen pak orë para sfidës vendimtare, duke rritur pritshmëritë për performancën e Bayernit në Champions League.