Ish drejtoresha e IKMT, Dallëndyshe Bici paraqitet në SPAK pa avokat
Dallëndyshe Bici është paraqitur në SPAK këtë të martë, ndërsa deri më tani nuk informacion lidhur me thirrjen e saj pranë institucionit të akuzës.
Bici është parë të futet në Prokurorinë e Posaçme rreth orës 10.00, ndërsa ajo që bie në sy është fakti se është paraqitur pa praninë e ndonjë avokati.
Ish zyrtarja e IKMT, Dallëndyshe Bici la ambientet e SPAK pas dy orësh, ndërsa nuk dha asnjë deklaratë për mediat jashtë institucionit.
Në janar të këtij viti, Dallëndyshe Bici la postin e drejtoreshës së IKMT, pas rimarrjes së këtij institucioni më 2024, pas një periudhe të shkurtër në krye të Kadastrës shqiptare.
Ndërkohë, në vendin e Dallëndyshe Bicit në krye të IKMT-së do të jetë Adriatik Kupi, edhe ky një person pranë qeverisë, pasi ka mbajtur disa funksione. Fillimisht ka qenë administrator i Njësisë Administrative Petrelë në Tiranë dhe më vonë drejtor i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.
Kupi po ashtu është një njëri i afërt edhe me zv ministrin e Brendshëm aktual, Xhemal Qefalia.
Dallëndyshe Bici e denoncuar nga Berisha
Dallëndyshe Bici është denoncuar më parë nga kreu i PD-së, Sali Berisha për lidhjet e saj me trafikantë narkotikësh.
Sipas denoncimit të Berishës disa vite më parë, drejtoresha e IKMT-së ka pasion trafikantët duke i bërë pjesë të administratës.
Adriatik Kupi i denoncuar nga PD
Edhe Adriatik Kupi është denoncuar më parë nga Partia Demokratike, kur ka mbajtur postin drejtues në OSHEE. Sipas denoncimit të PD, Kupi ka blerë vota në zgjedhjet e 14 majit 2023. Në atë kohë Partia Demokratike ka kërkuar nga SPAK që të hetojë Adriatik Kupin.
“Adriatik Kupi është Drejtor i Drejtorisë së Tensionit të Lartë në OSSH. Ai është gjithashtu Kryetari i Partisë Socialiste për zonën IBËS, BËRZHITËS, PETRELËS dhe FARKËS.
Në disa raste të mëparshme Partia Demokratike, ka denoncuar Adriatik Kupin për shkelje të dispozitave ligjore të paracaktuara nga Kodi Zgjedhor. Detajet e këtij denoncimi janë pjesë e Librit të Zi të Zgjedhjeve: Farsa Elektorale e 14 majit 2023.
Përveҫ sa më lart, në adresën tonë, ka mbërritur denoncime lidhur me Adriatik Kupin, në cilësinë e Titullarit të Drejtorisë së Tensionit të Lartë pranë OSSH sh.a.
Ankuesit ngrenë shqetësimin se Adriatik Kupi pas përfundimit të zgjedhjeve të 14 Majit ka prokuruar miliona euro fonde publike në kuadër të rikuperimit të parave të përdorura për blerjen e votave”, thuhet ne denoncimin e PD të 3 viteve më parë.