Hodgson sfidon moshën, 78-vjeçari udhëheq Bristol City drejt suksesit të dytë radhazi

Në moshën 78-vjeçare, Roy Hodgson vazhdon të dëshmojë se përvoja dhe pasioni nuk njohin kufij. Trajneri i përkohshëm i Bristol City-t arriti fitoren e dytë radhazi, duke mposhtur Sheffield United falë një goli të vetëm nga Mark Sykes.

Ky sukses ishte veçanërisht i rëndësishëm për “Robins”, pasi shënoi fitoren e parë në shtëpi që prej 24 janarit. Një rol vendimtar në këtë triumf pati portieri i ri Radek Vitek, i huazuar nga Manchester United, i cili realizoi disa pritje shpëtuese.

Falë këtyre rezultateve, Bristol City është ngjitur në vendin e 11-të në renditje, vetëm shtatë pikë larg zonës “play-off”, ndërsa kampionati po hyn në fazën vendimtare me edhe pesë ndeshje për t’u luajtur.

Pas ndeshjes, Hodgson u shpreh krenar për skuadrën e tij: “Mbrojtja ishte çelësi. Përqendrimi dhe vendosmëria e portierit dhe mbrojtësve, të mbështetur nga mesfusha dhe sulmi, bënë diferencën. Në pjesën e dytë u përballëm me shumë sfida dhe mënyra si reaguam më bën krenar”.

Trajneri veteran vlerësoi veçanërisht paraqitjen e Vitek: “Në dy ndeshjet e fundit ka qenë fantastik. Ka personalitet të madh dhe dominon në lojën ajrore. Nuk do të çuditesha nëse kthehet te Manchester United dhe qëndron gjatë aty”.

Në fund, Hodgson theksoi rëndësinë e vazhdimësisë: “Çdo ndeshje të mëson diçka. Këto dy sfida kanë qenë shumë pozitive. Nuk jam për të komplikuar futbollin, ka shumë baza të mira për të ndërtuar. Shpresoj që skuadra të afrohet më shumë me kreun sesa me fundin e tabelës”.