Franca paralajmëron për një 'rreth vicioz' përshkallëzimi në Lindjen e Mesme
Franca ka ngritur alarmin për rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm të tensioneve në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar për pasoja serioze si për rajonin ashtu edhe për ekonominë globale.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi se sulmet ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike janë të ndaluara nga rregullat e luftës dhe e drejta ndërkombëtare, duke theksuar se veprime të tilla do të sillnin me siguri kundërpërgjigje nga Iran.
Deklaratat e tij vijnë pak përpara skadimit të afatit të vendosur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për sulme të mundshme ndaj Iranit.
“Në kontekstin e një konflikti me Iranin, çdo goditje do të hapte pa dyshim një fazë të re përshkallëzimi dhe hakmarrjeje, duke e futur rajonin dhe ekonominë botërore në një rreth vicioz shumë shqetësues dhe, mbi të gjitha, tepër të dëmshëm për interesat tona,” u shpreh Barrot në një intervistë për France Info.
Ai shtoi se shenjat e para të tensioneve po reflektohen tashmë në tregjet globale, me një rritje të shpejtë të çmimeve të karburanteve.
“Nëse goditen instalacionet energjetike në Iran, mund të presim kundërpërgjigje nga regjimi iranian, çka do ta përkeqësonte më tej një situatë tashmë të brishtë,” përfundoi ministri francez.