Skema ‘5D’ - Nëpunësit pronarë biznesesh , Qyno: Ja si po pasurohen zyrtarët - Konkurrenca po asfiksohet
Një fenomen shqetësues po vërehet gjithnjë e më shumë në administratën publike, ku zyrtarë të niveleve të ndryshme po shndërrohen në mënyrë të papritur në biznesmenë të suksesshëm. Kjo ngre dyshime të forta për një skemë të mirëfilltë, ku pozicioni shtetëror përdoret si një trampolinë për pasurim personal në kurriz të interesit publik dhe konkurrencës së lirë.
Gazetari Elton Qyno i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto”, në Syri tv shpjegoi se kjo skemë funksionon përmes një mekanizmi të sofistikuar. Zyrtarët, duke shfrytëzuar informacionin e brendshëm dhe pushtetin vendimmarrës, krijojnë kompani, shpesh të regjistruara në emër të familjarëve apo personave të besuar. Më pas, ata sigurojnë për këto kompani leje ndërtimi, tendera publikë dhe kontrata fitimprurëse në sektorë si ndërtimi dhe shërbimet publike, veçanërisht në zonat bregdetare dhe në kryeqytet ku potenciali i fitimit është maksimal.
Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri ai tha se, modeli i këtij abuzimi ka evoluar me kalimin e kohës. Fillimisht, zyrtarët vepronin si ndërmjetës: ata merrnin lejet e ndërtimit dhe më pas ua shisnin ato investitorëve realë për shuma të konsiderueshme, duke realizuar fitime qindra mijëra euro pa investuar asnjë kapital dhe pa ndërmarrë asnjë rrezik. Së fundmi, skema ka kaluar në një fazë të re dhe më agresive. Zyrtarët nuk mjaftohen më me rolin e ndërmjetësit, por kanë krijuar infrastrukturën e tyre logjistike për të kontrolluar të gjithë procesin. Ata jo vetëm që miratojnë dhe vulosin vetë dokumentacionin, por edhe ndërtojnë dhe shesin vetë, duke përfituar 100% të fitimit dhe duke eliminuar plotësisht nevojën për biznesmenë të tjerë.
Kjo praktikë, e cila raportohet se ka nisur me skemën e famshme të kompanisë “5D” në Bashkinë e Tiranës, tashmë është përhapur si model në nivele të ndryshme të qeverisjes, nga drejtorë të thjeshtë deri te kryetarë bashkish në qytete të vogla. Raste të ngjashme janë vërejtur edhe në menaxhimin e shërbimeve publike, si ai i pastrimit, ku tenderat që më parë u jepeshin kompanive private, tani fitohen nga firma të lidhura direkt me titullarët e institucioneve.
Flavio Qarri: Pastrimi i parave ka arritur në një skemë shumë banale. Elementët dikur që ishin shumë të famshëm, pra njerëzit afër Ramës, tanimë kanë arritur tek përdorimi i zyrtarëve të nivelit të ulët, të cilët krejt papritur bëhen mjeshtra biznesi, siç është rasti i punonjësve të Amant Josifit apo të tjerë si Arbër Habilaj. Sa e lehtë është të bësh biznes në Shqipëri dhe me të gjitha, sa e lehtë është të jesh prestanome?
Elton Qyno: Sigurisht që nuk është shumë e lehtë të bësh biznes, por biznes bëjnë ata që janë punonjës nëpër zyrat e shtetit. Që të ndërtosh një biznes të ligjshëm, padyshim, siç është ndërtimi, sigurisht që së pari të duhet një shesh i ndërtimit dhe së dyti të duhet leje ndërtimi.
Flavio Qarri: Dhe për të gjitha këto duhen lekë shumë.
Elton Qyno: Duhet të pranojmë një gjë që pavarësisht një maskarade që ka bërë kjo qeveri, të paktën ca pika mbi i i ka vënë, siç janë lejet e ndërtimit apo siç janë dhe pjesa tjetër e reformës energjetike dhe deri tek reforma e ujit. Pra, nuk të len të të ndërtosh pa pasur një leje apo pa pasur një miratim. Dhe këtë miratim ti duhet ta marrësh pikërisht nga institucionet publike, siç është bashkia apo njësitë administrative apo së fundmi që ka dalë edhe Këshilli i Zhvillimit të Territorit. Pra që është ky institucion që ka ekskluzivitetin e lejeve tani, qoftë për lejet e pallateve mbi gjashtë kate, por qoftë edhe për lejet e investitorëve strategjikë.
Dhe që të rrimë te pyetja jote, është më se e qartë tashmë që zyrtarë të ulët, të lartë apo qoftë dhe të mesëm, kanë hyrë përmes këtyre skemave, kanë hyrë përmes investimeve kryesisht në ndërtim dhe këtë ndërtim më tepër e kanë zhvilluar kryesisht në zonat bregdetare, por edhe në zonën e kryeqytetit ku janë, si të thuash, ato territore tokësore që kanë më tepër interes për ndërtimin dhe që fitimi më i madh në këto territore është pikërisht i dukshëm sepse hyjnë me një leje ndërtimi dhe pa bërë dhe pa hedhur as edhe një kovë llaç, ti mund të marrësh diku te 500 apo 600.000 euro, vetëm për të shitur lejen e ndërtimit. Dhe një gjë të tillë e kanë bërë jo vetëm këta që ju keni zbuluar sot, por e kanë bërë... është skemë sepse e shpikën 5D-ja e famshme dhe pastaj e zhvilluan këto bishtet e tjerë në episode të vogla, sporadike, por që në fakt ishte e njëjta formulë, qoftë nga zyrat e shtetit dhe më pas në terren. Çfarë ndodhte? Ata që ishin në zyrat e shtetit, ata merrnin lejet e zhvillimit të shesheve të ndërtimit. Ata që ishin në zyrat e shtetit, ata merrnin lejet e ndërtimit dhe më pas këta pa pasur as edhe një mundësi, qoftë teknike, qoftë njohuri për ndërtimin, këtë leje ta shisnin ty. Dhe ti pastaj si ndërtues e zhvillon. Pra këta hoqën pjesën e ndërtuesit si aplikant dhe hynë vetë aplikant, në zyrat ku ata vetë punonin, të urbanistikës...
Flavio Qarri: E pamenduar më parë kjo.
Elton Qyno: E pamenduar më parë, po ja që këta e bënë. Në mjedis, në pjesën e fermave, kudo ku ishin këta shpikën nga një gjë...
Flavio Qarri: Aty ku kishte lekë domethënë.
Elton Qyno: Vetë ata që kishin vulën, kishin firmën nëpër zyra, vetë ata aplikuan dhe morën këto leje dhe më pas këto leje i shitën duke ja dhënë biznesmenëve që kishin një eksperiencë dhe kishin agregatët dhe teknologjinë për të ndërtuar pallate apo qoftë dhe infrastrukturë publike, siç ishin rrugët apo...
Flavio Qarri: Por tani kanë arritur në një fazë tjetër. Kanë bërë dhe firmat. Nuk kanë më fare nevojë për biznesmenët.
Elton Qyno: Tani kanë arritur që ëh, këtë pjesën që e merrnin vetë dhe e shisnin diku te 50% apo 60%, tashmë kanë arritur që ta ndërtojnë vetë dhe infrastrukturën logjistike dhe më pas të hyjnë tek pjesa e fitimit 100%. Që do të thotë, vetë firmosin, vetë i bëjnë letrat, vetë vulosin, vetë i miratojnë, vetë ndërtojnë dhe në fund vetë shesin.
Dhe kjo ka ndodhur me 5D-në, ka ndodhur me drejtorët e thjeshtë, siç dhe ju e përmendët. Ka filluar të amplifikohet edhe nëpër kryetarët e bashkive të qyteteve më të vogla, të cilat kanë hapur kompani.
Kanë hapur kompani pastrimi për mbeturinat, që deri dikur i merrnin këto tendera të bashkive i merrnin kompanitë private dhe bënin një ndarje proporcionale me kryetarët e bashkive. Ndërkohë që tani kryetarët e bashkive kanë hyrë vetë aksionerë me 100% me djalin e xhaxhait, me dhëndrin, me mbesën, me motrën, duke arritur që të marrin edhe këto pak tendera që janë për pastrimin e qyteteve.
Flavio Qarri: Pra e nxjerrin jashtë loje ekonominë e lirë domethënë.
Elton Qyno: Jo vetëm që po e nxjerrin jashtë loje, por këta janë kthyer tashmë në konkurrentët kryesorë të të ekonomisë së lirë, janë kthyer në konkurrentët kryesorë të biznesmenëve dhe të investitorëve si të thuash historikë që ka pasur Shqipëria, sepse po të vini re, skema 5D kishte formulën që i merrnin lejet e ndërtimit dhe më pas këto leje të ndërtimit nuk i zbatonin vetë në terren, por ja jepnin biznesmenëve që kishin një historik në CV-në e tyre për ndërtimin e veprave qoftë publike, po qoftë dhe veprave të ndërtimit të pallateve. Dhe një gjë të tillë e kanë bërë dy apo tre herë. Një gjë të tillë e kanë bërë edhe herën e katërt apo herën e pestë me marrjen e tenderit për ndërtimin e një shkolle nëntëvjeçare te Prokuroria e Tiranës dhe çuditërisht firma që fitoi tenderin në Bashkinë e Tiranës, 5D-ja, nuk hodhi asnjë kovë llaç aty, nuk çoi asnjë punonjës, por ja shiti tenderin një kompanie tjetër që lidhet me Zamir Manen dhe më pas ishte ky i fundit që e zbatoi në terren.