Garë e fortë në NBA: Denver dhe Spurs nuk ndalen, Detroit bie në transfertë

Mbrëmja e NBA solli emocione dhe rezultate të rëndësishme për skuadrat pretendente, sidomos në Konferencën e Perëndimit, ku gara për kreun po bëhet gjithnjë e më intensive.

Denver Nuggets vijojnë formën e shkëlqyer, duke regjistruar fitoren e nëntë radhazi. Ata mposhtën Portland Trail Blazers me rezultatin 137-132 pas kohës shtesë, duke siguruar matematikisht një vend në play-off dhe duke u ngjitur në vendin e tretë në Perëndim. Protagonist absolut ishte Nikola Jokić, që realizoi një “triple-double” spektakolar me 35 pikë, 14 rebound dhe 13 asist.

Në Lindje, Detroit Pistons vazhdojnë të mbajnë kreun, pavarësisht humbjes 123-107 në parketin e Orlando Magic. Për vendasit shkëlqeu Paolo Banchero me 31 pikë.

Fitore dramatike arritën New York Knicks, që triumfuan 108-105 ndaj Atlanta Hawks. Njeriu i ndeshjes ishte Jalen Brunson, autor i 30 pikëve vendimtare.

Ndërkohë, San Antonio Spurs po konsolidojnë pozitat në vendin e dytë në Perëndim, pasi mundën 115-102 Philadelphia 76ers. Forca e Spurs u pa te stoli, që kontribuoi me plot 50 pikë.

Fitore bindëse në transfertë regjistroi edhe Cleveland Cavaliers, që kaluan 142-126 Memphis Grizzlies. Një paraqitje kolektive mbresëlënëse, ku nëntë lojtarë realizuan mbi 10 pikë, me Evan Mobley më të mirin me 24 pikë.

 

Rezultatet:

Atlanta – New York 105-108

Orlando – Detroit 123-107

Memphis – Cleveland 126-142

San Antonio – Philadelphia 115-102

Denver – Portland 137-132