Allegri, realist: Titulli iku, fokusi tani te Championsi
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, pranoi me sinqeritet se gara për titull tashmë është shumë e vështirë për skuadrën e tij, pas humbjes në transfertë ndaj Napolit. Sipas tij, diferenca në renditje e bën pothuajse të pamundur rikuperimin.
“Për titullin besoj se kemi bërë maksimumin. Interi ka një avantazh prej 9 pikësh dhe, edhe pse në futboll gjithçka është e mundur, nuk duhet harruar se edhe Napoli ndodhet përpara nesh. Tani duhet të përqendrohemi te ndeshja me Udinesen dhe sfidat që na presin”, deklaroi Allegri.
Kuqezinjtë duken se u kanë dhënë fund ambicieve për titull dhe tashmë objektivi kryesor mbetet sigurimi i një vendi në Champions League.
Duke analizuar ndeshjen, Allegri theksoi mungesën e rasteve dhe gabimet në momentet vendimtare: “Ishte një përballje me pak mundësi, ku duhej shfrytëzuar episodi i vetëm. Pësuam gol edhe pse ishim të vendosur mirë në mbrojtje, ndërsa në situata të tjera duhej të tregonim më shumë shpejtësi në finalizim. Bëmë zgjedhje të gabuara dhe na mungoi saktësia. Duhet të përmirësohemi, por pa humbur qetësinë”.
Në aspektin taktik, trajneri i Milanit u ndal edhe te gjendja fizike e disa lojtarëve: “Christian Pulisic u rikthye vetëm të premten nga kombëtarja, ndërsa Rafael Leão kishte 12 ditë pushim. Nuk ishte e lehtë ta nisnim menjëherë me tre sulmues. Ndoshta duhej të ndërhyja më herët, rreth minutës së 70-të”.
Në fund, ai komentoi edhe paraqitjen e repartit ofensiv: “Christopher Nkunku dhe Niclas Füllkrug u paraqitën mirë, por në ato raste duhet të goditet porta. I lamë shumë hapësira kundërshtarit për kundërsulme, më tepër seç duhej”.