‘Nuk kaloi raporti IBAR’/ Analisti rrëzon deputetin e PS për integrimin: E keni menderosur…

Analisti Lufti Dervishi debatoi me deputetin socialist Erion Malaj mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Të ftuar në emisionin “Off the Record”, gjatë diskutimit, Dervishi u shpreh:

“E keni menderosur… nuk kaloi raporti IBAR”, duke kritikuar mënyrën se si po menaxhohet procesi, ku gjithashtu shtoi se ‘nga tetori deri në mars ne kaluam një ngërç dhe mbajtëm gjashtë muaj një çështje që ishte zgjidhur për 30 sekonda.’

“Sot ne do të ishim duke mbyllur kapitujt. IBAR-i ka qenë që në shkurt.” Sipas tij, problemi nuk qëndron te partnerët ndërkombëtarë: “Në Gjermani asnjë nuk është kundër Shqipërisë. Asnjë nga vendet nuk është kundër Shqipërisë… por qeveria shqiptare është kundër procesit.

Ato votat që ju dhatë për të mbrojtur atë mandatin e deputetes… ato vota po e pengojnë Shqipërinë, po e vonojnë Shqipërinë.”

Nga ana tjetër, deputeti Erion Malaj kundërshtoi këto qëndrime, duke deklaruar:

“Punët e Shqipërisë nuk janë teatër, por janë diçka reale. Ne jemi në procesin e integrimit sot në fazën më të mirë që kemi qenë ndonjëherë.

Gjermania ka qenë, është dhe do të jetë në krah të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian. Integrimi është çështje më shumë teknike dhe jo çështje emrash.”

Debati mes tyre nxori në pah qëndrime të kundërta për ecurinë e integrimit, me Dervishin që akuzon për vonesa dhe Malajn që këmbëngul se Shqipëria është në rrugën e duhur.