‘Qeveria e shkëputur nga realiteti’, Ibraj: Familjet mezi shtyjnë muajin, pasurohen vetëm një grusht njerëzish!

Anisa Ibraj, kreytare e Lëvizjes Rinore për Integrim, PL, hodhi akuza të forta në adresë të qeverisë, të cilën e konsideroi si të shkëputur nga realiteti i qytetarëve, duke theksuar kontrastin e thellë mes vështirësive ekonomike të familjeve dhe abuzimit me paratë publike.

Gjatë fjalës në Foltoren para godinës së Kryeministrisë, Ibraj tha se ndërsa familjet shqiptare luftojnë për të mbijetuar me të ardhura minimale, një grusht i vogël njerëzish të lidhur me qeverinë, pasurohen me shifra marramendëse.

Sipas saj, shumë familje përpiqen të kalojnë muajin me shuma modeste si 20 apo 30 mijë lekë të vjetra, një realitet i hidhur që duket se injorohet nga pushteti.

"Problemi është një qeveri që është shkëputur nga realiteti. Një qeveri që nuk ndalet së marri dhe nuk di të japë," u shpreh ajo, duke e cilësuar qeverinë si të paaftë për të kuptuar dhe adresuar nevojat e njerëzve.

Ibraj theksoi se beteja kundër qeverisë, nuk do të ndalet. "Ne nuk do heshtim, nuk do tërhiqemi," deklaroi ajo, duke shtuar se lufta do të vazhdojë derisa qytetarët të marrin shërbimet që meritojnë dhe të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.

Janë gra kryefamiljare që mbajnë shtëpitë me sakrificë, me të ardhura që mezi mbulojnë disa ditë, jo një muaj. Por ironia më e madhe është kjo, qytetarëve u kërkohet të bëjnë llogari për çdo qindarkë, ndërsa për paratë publike vazhdojnë të dëgjohen akuza publike për vjedhje që pasurojnë një grusht njerëzish.

Ndërsa familjet përpiqen të shtyjnë një muaj me 20 apo 30 mijë lekë të vjetra, në diskursin publik përmenden shifra marramendëse që tregojnë sa larg është bërë realiteti i pushtetit nga realiteti i njerëzve. Në fund të ditës, qytetarët nuk kërkojnë dhe nuk kanë nevojë për etiketime, as për karta që nuk ndryshojnë realitetin e tyre.

E sa më shumë tentohet të zhvendoset vëmendja nga problemet reale te justifikimet, aq më shumë bëhet e qartë. Problemi nuk janë njerëzit që marrin ndihma ekonomike. Problemi është një qeveri që është shkëputur nga realiteti. Një qeveri që nuk ndalet së marri dhe nuk di të japë.

Dhe deri në momentin që qytetarët të marrin shërbime që meritojnë dhe të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre, ne nuk do heshtim, nuk do tërhiqemi, sepse kjo është beteja për jetën e përditshme të çdo familjeje shqiptare.