Trump po shkëlqen në ato çështje morale që kanë vërtet rëndësi

Shumë kritikë të hershëm të Presidentit Trump, duke zgjeruar sulmet e tyre, po e akuzojnë për “dështim moral”. Ata pretendojnë se vërejtjet e tij pas rrëmujës në Charlottesville nuk dënuan mjaftueshëm nezonazistët dhe aspirantët e Ku Klux Klanit.

Ndërsa besoj se Trump po akuzohet padrejtësisht për lavdërim të supremacistëve të bardhë, ai është sigurisht fajtor për përpjekjen e kotë për të bërë dallime midis të djathtëve në vorbullën pas vdekjes së Heather Heyer. Fjalimi i tij i papërgatitur në një konferencë shtypi në Trump Tower iu dha material atyre që janë të prirur për ta parë me syzet më të errëta.

Megjithatë, morali është për sytë e atij që dëshiron ta shohë dhe, ndonëse nuk dua të debatoj me korin e “dështimit moral”,  ka edhe çështje të tjera të rëndësishme.

Këto çështje i shoh më të rëndësishme se sa ato retorike dhe pikërisht për shkak të tyre nuk e kam hedhur ende përtokë peshqirin për presidencën e Trumpit.

E thënë më shkoqur, këto teste morale ndahen në dy kategori: Ekonomia dhe siguria kombëtare.

Këto janë çështje politike, por ajo që i bën morale është shkalla me të cilën ato ndihmojnë e mbrojnë amerikanët e të gjitha racave. Llogaritë janë të thjeshta: Nëse nga një politikë përfitojnë 100 milionë njerëz, për mua ajo ka më tepër moral se një politikë nga e cila përfitojnë 10 milionë.

Është gjithashtu çështje përfitimesh. Nëse një politikë bën të rehatuarit të ndihen edhe më rehat, ajo nuk është aq morale sa politika që i shtrin mundësitë edhe për ata që janë lënë pas nga politikat e mëparshme.

Dhe rritja e ekonomisë në mënyrë që sa më tepër njerëz të përfitojnë është më morale se thjesht të rishpërndash të mirat ekonomike ekzistuese, ashtu si një qeveri e përkushtuar për lirinë individuale është morale se ajo që kufizon zgjedhjet personale në emër të ndershmërisë.

Në këtë aspekt, politikat ekonomike të Trumpit, ato për të cilat bëri fushatë dhe ato që po përpiqet të zbatojë, kanë një potencial moral të lartë. Apeli i tij për klasat e ulëta, të mesme e punëtore, shumë prej të cilave ndihen me të drejtë të tradhtuara nga qeveria e tyre dhe të dyja partitë politike, i siguroi në pjesën më të madhe fitoren dhe zbuloi një përçarje të madhe në vend.

Fitorja e tij ishte një refuzim i ekonomisë së Washingtonit, e cila dyfishoi borxhin kombëtar ndërsa mbyste rritjen. Kuponët ushqimorë u bënë më të lehtë për t’i gjetur se sa punët e mira.

Pavarësisht hapave të gabuar të Trumpit, korrigjimi i kursit që fitorja e tij përfaqëson mbetet i duhur për Amerikën, sepse pretendimet që kanë votuesit e tij janë ende po aq legjitimë e urgjentë sa çdo tjetër kërkesë për vëmendjen  e qeverisë.

Nëse politika e Trumpit për tregtinë, taksat, emigracionin dhe rregullat çojnë në punë me paga të mira për më shumë njerëz në sektorin privat dhe rinovim të fuqisë industriale të vendit, ajo do të jetë shumë më e mirë se, le të themi, rritja e burokracisë duke shtuar hetuesit që kërkojnë gjilpërën në kashtë në Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit apo duke shtuar burokratë që diktojnë rregullat e banjave në shkollat publike.

Po ashtu, në çështjet e sigurisë së publikut, fushata e Trumpit dhe veprimet e tij deri tani i mbajnë premtimet për të ndihmuar njerëzit në dy zona.

Së pari, plani i tij për të rindërtuar ushtrinë është thelbësor për t’iu kundërvënë rreziqeve kundër Amerikës dhe qytetërimit perëndimor. Rrjedha e vazhdueshme e sulmeve terroriste në Evropë, përfshirë Barcelonën e bukur javën e kaluar, duhet të na kujtojë sërish se xhihadistët e dhunshëm nuk do të tregojnë mëshirë nëse i lëmë të fusin këmbë këtu.

Premtimet e Trumpit për të rritur kontrollin e refugjatëve dhe kufijve, dhe vazhdimi i fushatës së pamëshirshme kundër terroristëve kudo që na kërcënojnë janë në përputhje me vlerat themelore të Amerikës. Të mohosh këtë është njësoj si të thuash që Kushtetuta është një pakt vetëvrasjeje me armiqtë tanë.

Krahasoni politikat e sigurisë të Trumpit me ato të Barack Obama. Ish-presidenti mohonte lidhjen mes Islamit dhe shumicës së terroristëve dhe i hapi rrugë ngritjes së Shtetit Islamik duke e braktisur para kohe Irakun.

Për shkak të pasojave, ato zgjidhje mund të shihen si imorale. E njëjta gjë vlen edhe për politikën e Obamës për reduktimet ushtarake me synimin e qartë për të kufizuar kapacitetin në kohë lufte. Ngritja e fuqive të tjera, sidomos Rusisë e Kinës, erdhi si pasojë e dobësisë së tij.

Pastaj është edhe Irani e Koreja e Veriut. Është më se e qartë që politika e Obamës me të dyja e bëri botën një vend shumë më të rrezikshëm, teksa armët bërthamore po përhapen në vende që betohen t’i përdorin kundër nesh dhe aleatëve tanë. Këto politika janë dështime morale të një shkalle gjigante.

Çështja e dytë e sigurisë është lufta kundër krimit të brendshëm. Përsëri, kontrolli i kufinjve, deportimi i të huajve kriminelë dhe përkrahja e zbatimit të ligjit janë politika që synojnë të shpëtojnë jetën e amerikanëve të pafajshëm.

Nga ana tjetër, denigrimi i vazhdueshëm i ligjzbatimit dhe lëvdimi i grupeve anti-polici teksa numri i vrasjeve rritej në shumë qytete ishte më e pakta kthim prapa.

Megjithëse Chicago ishte qyteti i adoptuar i Obamës, atje pati mbi katër mijë vrasje gjatë kohës që ai ishte president. Nëse qeveria federale bëri ndonjë gjë për të ndaluar gjakderdhjen, ky ka qenë një sekret i ruajtur shkëlqyeshëm.

Pa dyshim, Trump ka shumë punë për të bërë për të fituar besimin e vendit. Por faktet thonë se zgjedhjet politike dhe veprimet e tij deri tani kanë potencialin të ndihmojnë më tepër njerëz në nevojë se ato të paraardhësit të tij.

Marrë nga New York Post - Përgatiti: SYRI.net