Bllokimi i integrimit/ Ministri e pranon se janë 9 shtete: Po bëjnë pyetje shtesë

Negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian janë bllokuar për shkak të vendimit të kryeministrit Edi Rama për të mbrojtur veten dhe Belinda Ballukun.

Shqipëria priste që në dhjetor të miratonte raportin IBAR për të nisur mbylljen e kapitujve të negociatave.

Por tashmë jemi në prill dhe kjo gjë nuk ka ndodhur, ndërkohë që Mali i Zi po bën vite që e ka miratuar raportin IBAR, që konsiston në vlerësimin e kapitujve që lidhen drejtpërdrejt me sundimin e ligjit.

Për miratimin e këtij raporti duhet konsensus i plotë nga të gjitha vendet e BE-së.

Por kundër vendit tonë kanë shfaqur rezerva plot 9 shtete.

Një fakt të tillë e pranoi për herë të parë edhe ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha.

Por duke folur për Euronews, ai u fsheh pas gjuhës teknike, duke thënë se këto shtete nuk kanë bllokuar integrimin, por kanë bërë pyetje shtesë.

“Procesi ka natyrën e vet, ka kompleksitetin e vet dhe vendet anëtare janë ato që do të vendosin dhe unë e kuptoj shumë mirë që do të kenë pyetje. Ato 9 apo sa kanë qenë janë vende që bëjnë pyetje, bëjnë pyetje shtesë dhe nuk kanë bllokuar gjë. Më gjeni dhe shkoni dhe pyetini ato vende që thonë se na kanë bllokuar apo jo dhe merrni përgjigje,” tha ministri.

Megjithatë në rastin e Malit të Zi nuk pati asnjë pyetje shtesë dhe raporti u miratua me unanimitet.

Ndërkohë Shqipëria ka ngelur në klasë dhe pyetjet që kanë ngritur këto shtete lidhen pikërisht me skandalin Balluku dhe mungesën e luftës kundër korrupsionit.

Lojët e fjalëve të ministrit të Ramës nuk e zhbëjnë faktin se vendet më të fuqishme në BE janë kundër lojës që po bën Edi Rama për të mbrojtur veten dhe Ballukun.