‘Integrimi në bazë merite, jo fasada politike’, Bajaziti: Opozita ka marrë përsipër t’i tregojë BE realitetin e Shqipërisë

Në një moment vendimtar për rrugëtimin europian të Shqipërisë, opozita ka intensifikuar takimet me aktorë ndërkombëtarë, duke argumentuar se roli i saj është thelbësor për të paraqitur realitetin e vërtetë të vendit.

E ftuar në emisionin ‘Task Force’ në Syri Tv, ish kandidatja e PD në zgjedhjet e 11 majit të 2025, Erisa Bajaziti u shpreh se ndjeshmëria e marrë nga këto takime është pozitive, pasi u jep mundësinë të komunikojnë drejtpërdrejt me institucionet që do të vendosin për fatin e integrimit.

Qëllimi kryesor i këtij angazhimi ndërkombëtar, theksoi Bajazitit, është t’u tregojë shteteve anëtare të BE-së se ku qëndron realisht Shqipëria, përtej tablosë që paraqet kryeministri.

Theksin, Bajaziti e vuri te sfidat me të cilat përballen qytetarët shqiptarë, duke përfshirë çështje të shtetit të së drejtës, lirisë së medias dhe lirive themelore.

Duke hedhur poshtë pretendimet e mazhorancës se po pengojnë procesin, Bajaziti këmbënguli se qëllimi, është të sigurohet që anëtarësimi të bazohet në merita dhe jo në fasada politike.

Sipas saj, qytetarët shqiptarë e kërkojnë anëtarësimin në BE jo si një dhuratë, por si rezultat i përmbushjes së standardeve që garantojnë një jetë më të mirë.

Shtetet anëtare të cilat në fund do të japin votën e tyre nëse Shqipëria e meriton hyrjen ose jo në familjen europiane, janë këto shtete të cilat është e nevojshme të dinë se ku qëndron Shqipëria realisht. Cila është tabloja e vërtetë, realiteti me të cilin përballen qytetarët shqiptarë dhe jo ajo, dhe jo ai realitet me të cilin kryeministri shqiptar e prezanton Shqipërinë tek faktori ndërkombëtar. Dhe unë mendoj në këtë aspekt opozita shqiptare po luan një rol kyç në pikën më kryesore të këtij procesi, sepse edhe vendet anëtare të Bashkimit Europian, kurdo që të shkosh, me këdo që të flasësh, ata janë padyshim shumë pozitivë për Shqipërinë, por kuptohet që ky proces do të jetë një proces i bazuar në merita.

Dhe sikurse qytetarët shqiptarë e kërkojnë këtë anëtarësim, gjithashtu dhe qytetarët shqiptarë e kërkojnë në bazë të meritave, kërkojnë standarde të cilat kanë lidhje me shtetin e së drejtës, me liritë themelore të njeriut, me lirinë e medias, gjyqësorin. Pra janë të gjitha elementët që dhe qytetarët shqiptarë i prekin çdo ditë dhe janë shpeshherë edhe viktimë të mungesës së këtyre standardeve në vendin e tyre. Ndaj unë mendoj që opozita shqiptare ka marrë rolin e duhur për të trokitur tek dyert europiane dhe për t'u treguar atyre realitetin e Shqipërisë.

Opozita nuk është duke e prishur këtë proces. Opozita është duke e ruajtur dhe duke u kujdesur që këto standarde të arrihen në mënyrë që Shqipëria ta përfundojë me sukses këtë, këtë proces integrimi. Dhe duke qenë ne si palë kërkuese, jemi duke i bërë një lloj presioni dhe shtetit shqiptar, po edhe vendeve anëtare që nga ana e tyre të shikohet me kujdes ecuria e Shqipërisë në këtë proces, të shikohet me kujdes ku qëndron drejtësia, ku qëndron gjendja ekonomike e vendit, ku qëndron raporti i qytetarëve shqiptarë, të cilët çdo ditë e më shumë po largohen nga vendi i tyre dhe po mundohen ta kërkojnë dhe ta gjejnë Bashkimin Europian jo në Shqipëri si një premtim të cilin kryeministri shqiptar e dha dhe gjatë zgjedhjeve, por janë duke e kërkuar atë duke u larguar nga Shqipëria, pra janë duke e kërkuar në dyert e Bashkimit Europian.

Dhe ne thjesht po kërkojmë, sigurohemi që këto standarde realizohen dhe është në bazë të meritës, sepse ky është një lloj presioni, një lloj presioni ku aktorët kryesorë në vend, që është opozita, parlamenti, pavarësisht se i dobët, të marrin pjesë në këtë proces, sepse ky nuk është një proces i cili duhet monopolizuar vetëm nga qeveria shqiptare. Të gjithë aktorët duhet të marrin në konsideratë në mënyrë që procesi të jetë sa më i drejtë dhe standartet të arrihen sa më shpejt.