Mega-operacion kundër mashtruesve në Greqi, përfituan 1.3 milionë euro brenda pak muajsh

Një operacion i koordinuar policor në tre rajone të Greqisë, me përfshirjen e njësive antiterror dhe përdorimin e dronëve, çoi në shkatërrimin e një bande të organizuar mashtruesish telefonikë, të cilët kishin përfituar rreth 1.3 milionë euro brenda pak muajsh, njoftuan autoritetet të hënën.

Shtatë persona të dyshuar u arrestuan gjatë bastisjeve të zhvilluara të premten në qendër të Athinës, në Aharnes (periferi veriperëndimore e kryeqytetit), si dhe në Korinth dhe Iraklio të Kretës. Policia ka shpallur gjithashtu në kërkim një grua 23-vjeçare.

Të arrestuarit përballen me akuza për mashtrim, mashtrim kompjuterik, pastrim parash dhe vjedhje.

Sipas hetimeve, banda ishte aktive të paktën që nga dhjetori i vitit 2025 dhe arriti të përvetësonte rreth 1.29 milionë euro nga 41 viktima në zona të ndryshme të Athinës, si dhe në Kozani, Katerini, Kavala, Naousa, Drama, Veria, Halkidiki dhe Selanik, në veri të vendit.

Në deklaratën e policisë thuhet se grupi, i cilësuar si ‘i organizuar dhe profesional’, ishte i ndarë në dy struktura kryesore: njëra operonte si qendër telefonike pranë Korinthit, ndërsa tjetra përbëhej nga ekipe të shpërndara në të gjithë Greqinë, të cilat aktivizoheshin sapo një viktimë binte pre e mashtrimit.

Autorët prezantoheshin si kontabilistë, duke bindur viktimat, kryesisht persona të moshuar dhe të cenueshëm, t’u dorëzonin para cash ose bizhuteri që mbanin në shtëpi. Në rastet kur kjo nuk realizohej, ata kërkonin të dhëna bankare ose të kartave të debitit, me justifikimin se pasuritë duhej të regjistroheshin për të shmangur taksat.

Pasi siguronin besimin e viktimës, një ekip transporti dërgohej për të marrë paratë ose sendet me vlerë në shtëpi ose në një pikë të dakordësuar më parë.

 ‘Kishte disa ekipe operative në komunikim të drejtpërdrejtë me qendrën telefonike, të gatshme për të vepruar në çdo moment në të gjithë territorin grek, duke përdorur makina me qira ose automjete të regjistruara në emër të të afërmve, për të shmangur identifikimin,’ thuhet në deklaratën e policisë.

Autoritetet greke raportojnë rregullisht arrestime të lidhura me mashtrime të tilla, por operacioni i fundit konsiderohet ndër më të mëdhenjtë e muajve të fundit.