Ish-trajneri i Italisë/ Ventura mbron Gattuson: Problemi është sistemi, jo trajneri

Ish-trajneri i Italisë, Giampiero Ventura, ka analizuar krizën e vazhdueshme të “axurrëve”, duke theksuar se problemet shkojnë përtej pankinës dhe nuk lidhen vetëm me trajnerët.

Në një intervistë për “Radio Anch’io Sport”, Ventura doli në mbrojtje të Gennaro Gattusos, pas dështimeve të fundit të përfaqësueses italiane.

Sipas tij, përgjegjësia është më e gjerë dhe lidhet me kulturën dhe sistemin e futbollit në Itali.

“Nuk është vetëm faj i trajnerit apo i federatës. Është një problem i thellë i sistemit dhe mënyrës si funksionon futbolli ynë”, u shpreh ai.

Ventura kujtoi se pas triumfit në Botërorinm 2006, Italia ka pasur rënie të vazhdueshme, duke u eliminuar herët në edicionet e 2010 dhe 2014, si dhe duke dështuar të kualifikohet në disa Botërorë.

Ai theksoi se përjashtim mbetet vetëm suksesi në Euro 2020, që sipas tij ishte një rast i izoluar dhe jo tregues i një sistemi funksional.

Ventura shtoi se kritikat ndaj ekipit janë strukturore dhe kërkojnë ndërhyrje të thella, madje edhe në nivel qeveritar, për të rindërtuar bazat e futbollit italian.

Duke iu referuar dështimit ndaj Suedisë në vitin 2017, ai nënvizoi se pak gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë dhe se Italia vazhdon të vuajë të njëjtat probleme.

Në fund, Ventura pranoi se rikthimi në nivelet e dikurshme kërkon kohë, punë dhe një reformë të vërtetë në gjithë sistemin e futbollit në vend.