Reagimi i Ardian Ismajlit pasi u shpall lojtari më i mirë në fitoren e Torinos
Torino ka marrë një fitore shumë të rëndësishme me rezultatin 1-0 ndaj Pisës, duke lënë pas momentin e vështirë që po kalonte në javët e fundit.
Golin e vetëm të takimit e realizoi Che Adams, i cili i dha tri pikë të arta skuadrës “granata”.
Megjithatë, protagonisti kryesor i ndeshjes ishte mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli.
Paraqitja e tij solide në prapavijë bëri që ai të shpallej lojtari më i mirë i ndeshjes, duke konfirmuar rolin kyç në mbrojtjen e Torinos.
Në përfundim të sfidës, Ismajli u shpreh i kënaqur për suksesin dhe reagimin e skuadrës, duke theksuar rëndësinë e tri pikëve.
“Jam i lumtur për çmimin, por më e rëndësishmja ishte fitorja. E meritonim këtë sukses në shtëpi”, deklaroi ai.
Mbrojtësi kuqezi u ndal edhe te forma e skuadrës, duke pranuar se Torino nuk e meritonte krizën e kaluar dhe se ndryshimi ka ardhur pas ardhjes së trajnerit Roberto D'Aversa.
Sipas Ismajlit, skuadra ka reaguar pozitivisht dhe tashmë duket më e qetë dhe më e sigurt në fushë, duke dhënë sinjale të qarta për vazhdimësinë e sezonit.